Nuk ishte e shkruar nga Zoti, por nga mafiozët e ndërtimit

Rasti i Gentianit duhet të shërbejë si ndërgjegjësim për familjarët e atyre që vdesin në vend të punës. Duhet të ngrenë zërin, për të kërkuar dënimin e mafiozëve të ndërtimit. Për të kërkuar burgosjen e tyre.

Nuk ishte e shkruar nga Zoti, por nga mafiozët e ndërtimit

Gentian Krasniqi, një 23 vjeçar nga komuna e varfër e Malishevës, është viktimë e mafiozëve të ndërtimit në Prishtinë.

Fati i tij ishte i keq. Rasti i tij shpërfaq dështimin e bërjes së shtetit ligjor.

Vendet e punës në Malishevë janë të munguara. Një pagë minimale në Prishtinë ishte e mjaftueshme për të. Kishte arritur këtë synim. Arritja e një synimi të tillë është sukses për shumë të rinj të papunë.

Me gjasë, kishte menduar të punonte përkohësisht në sektorin e ndërtimtarisë. Besonte që nga aty të gjente punë më të mirë, për të realizuar ëndrrat e tij.

Ishte punësuar në një kompani, e cila plotëson kriteret për tu vlerësuar si mafioze. Pronarët e kësaj kompanie me veprimet e tyre bënë që Gentiani të mos vazhdonte të ëndërronte më.

Bënë që jeta e tij të rrezikohej.

Me datë 1 prill të këtij viti, Gentiani pësoi tragjikisht.

Ishte duke punuar në katin e shtatë të një kompleksi banesor në “Rrugën B”, në Prishtinë. Por kompania “Diellona”, për të cilën punonte Gentiani nuk kishte vendosur mbrojtëse, në pjesën ku vendosen skelet e ndërtimit.

Për shkak të mungesës së tyre, ai kishte rënë nga kati i shtatë. Kishte luftuar për jetë në QKUK. Nuk ia kishte dalë. Kishte vdekur.

Mbi kompaninë private, ku punonte Gentiani rëndojnë shumë dyshime. Ajo ka të regjistruar vetëm dy punëtorë. Shteti e di këtë, por nuk e ndëshkon. Lejon që kompanitë që ndërtojnë shumëkatëshe në Prishtinë, të raportojnë vetëm dy të punësuar.

Por, kjo nuk është për tu çuditur. Ky shtet është duke lejuar edhe mos ndëshkimin e përgjegjësve për vdekjen e Gentianit.

Është rrëqethëse historia e këtij të riu, të cilën e transmetoi emisioni hulumtues “InDoks”, të dielën e javës së kaluar.

Emisioni “Ndërtimi mbi Gjak”, i InDoks tregon edhe për faktin që historia e Gentianit nuk është rrëqethëse vetëm për ata që duhet të ndërmarrin masa: Prokurorët, policët, inspektorët e ndërtimit dhe politikanët.

Gjithçka ka përfunduar me ngushëllimin se “kështu e kishte të shkruar nga Zoti”. Në fakt, është e kundërta. Vdekja e tij ishte e shkruar  nga mafiozët që synojnë të përfitojnë edhe pak më shumë miliona në “Rrugën B”, në Prishtinë.

Rasti i Gentianit duhet të shërbejë si ndërgjegjësim për familjarët e atyre që vdesin në vend të punës. Duhet të ngrenë zërin, për të kërkuar dënimin e mafiozëve të ndërtimit. Për të kërkuar burgosjen e tyre.

Shifrat e vdekjeve në vend të punës janë tmerruese.  Edhe më tmerrues është fakti që asnjë prej pronarëve të kompanive mafioze nuk është në burg.

InDoks zbuloi se nuk është dënuar asnjë prej përgjegjësve për vdekjet në vend të punës përgjatë viteve 2016-2018.

Bazuar në statistikat që posedon Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat, katër vdekje në vend të punës kanë ndodhur vetëm në vitin 2018.

Vitin e kaluar patën vdekur 20 veta, ndërsa gjatë vitit 2016 kishin vdekur 14 punëtorë.

Kompanitë e fuqishme private nuk ka kush t’i inspektojë. Inspektorët korruptohen lehtësisht, nëpërmjet ryshfeteve. Edhe shefat e inspektorëve, politikanët, korruptohen nga mafiozët e sektorit të ndërtimit. Politikanët, kuptohet korruptohen me shifra më të mëdha se sa inspektorët.

Korruptimi i tyre është pengesë edhe për punën e sindikatave të punëtorëve.

“Kemi pasur raste kur inspektorët nisën për ta inspektuar një kompani. Në rrugëtim e sipër është thirrur inspektori dhe i është thënë: Kthehu se nuk ke nevojë ta inspektosh atë kompani”, deklaroi për InDoks Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat.

Përveç kompanive që detyrohen të paguajnë ryshfete, vdekjet në vendin e punës janë problem edhe për ato që janë në pronësi dhe të lidhura ngushtë me politikën. Këto nuk detyrohen të paguajnë ryshfete, por kanë fuqinë që të fshehin rastet penale kundër tyre.

InDoks zbuloi dy emra kompanish të tilla, të cilave iu vdiqen punëtorët në vendin e punës.

Musli Krasniqi vdiq më 30 janar të këtij viti derisa ishte duke punuar për kompaninë “Fitorja”, nga Ferizaji. Kjo kompani është prej më të fuqishmeve në Kosovë. Së fundmi, ka nisur një projekt të përbashkët me Blerim Thaçin, vellain e vogël të presidentit Hashim Thaçi.

Në vendin e tij të punës vdiq edhe Asllan Asllani nga Drenasi. Ai ishte punëtor i kompanisë “Eurobesi”, e cila ishte kontraktuar për të ndërtuar kompleksin banesor të kompanisë investuese “Premium Group Kosova”. Bekim Jashari, kryetari i Skënderajt dhe Bahri Nuredini, drejtor i Aeroporit të Prishtinës/ Kullës, janë aksionar të kompanisë private “Premium Group Kosova”.

Por, përkundër këtyre fakteve rrënqëthëse që tregojnë për vdekjet e njerëzve në vend të punës ende nuk ka shefa të dënuar me burg të kompanive ndërtimore. Derisa për qytetarët këto të dhëna janë shokuese, të tilla nuk konsiderohen për zyrtarët shtetëror.

Madje, Basri Ibrahimi, kryeinspektori i Inspektoriatit të Punës nuk pranon ta quajë alarmante tërë këtë situatë.

“…nuk është alarmante gjendja. Është në përmirësim e sipër. Mirëpo ende ka punë për tu bërë”, deklaroi Ibrahimi, njeriu që e ka për obligim që të ndërmarrë masa.

Derisa zyrtarët si Ibrahimi e vlerësojnë gjendjen si jo alarmante, do të vazhdojmë që të lexojme lajme rrënqethësi sikurse rasti i të riut nga Malisheva, Gentian Krasniqit. Do të vazhdojmë të lexojmë tituj si këta: “Bie nga kati i shtatë, vdes në vend të punës”, “Zbulohet shkaku i vdekjes, nuk kishte mbrojtëse në vend të punës”.

Me qasjen e tillë të zyrtarëve shtetëror, numri i njerëzve në vend të punës do të rritet. Por, duket se kjo nuk i bënë përshtypje atyre. Ibrahimi dhe të tjerët duket se nuk do të lëkundën nga qëndrimi se “gjendja nuk është alarmante”.