Nuk ka datë për dialogun teknik

Nuk ka datë për dialogun teknik

Brukseli ende nuk ka caktuar ndonjë datë për raundin e ri të bisedimeve teknike Beograd-Prishtinë.

Muajin e kaluar Bashkimi Evropian deklaroi se është e nevojshme të përshpejtohet diskutimi rreth marrëveshjeve ekzistuese në mënyrë që të normalizohen marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Për këtë u tha se delegacionet teknike do të takohen çdo dy javë, mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodhë. Kreu i negociatave me Serbinë, Avni Arifi ka thënë se ende nuk kanë marrë ftesë për vazhdimin e bisedimeve.

“Kjo nënkupton që Serbia nuk don t’i kryejë obligimet e mbetura e që janë shumë të rëndësishme për Kosovën”, ka thënë Arifi për lajmi.net.

Bllokimin e dialogut Serbia po e arsyeton me mosthemelimin e Asociacionit të Komunave serbe duke thënë se nuk po zbatohet marrëveshja e Brukselit.

Mirëpo, Arifi ka theksuar se çështja e Asociacionit është zhbllokuar edhe pse ka pas ngecje.

“Ne kemi pas ngecje në Asociacion por ai proces është zhbllokuar, asnjë obligim tjetër nuk e kemi. Ata e kanë marrëveshjen e Energjisë mosimplementimi i së cilës nga ana e tyre neve na i humbë mbi 20 milionë euro në vit”, ka sqaruar Arifi.

Po ashtu, ai ka bër të ditur se po bllokohet edhe marrëveshja e menaxhimit të integruar të kufinjëve me të cilën Kosova rrezikon të humbë mbi 24 milionë donacion nga BE-ja për ndërtimin e gjashtë vendkalimeve kufitare.

Takimi i fundit mes palës kosovare dhe asaj serbe u mbajt në fund të muajit të kaluar./L