“Nuk ka pikëpyetje në njohjen e Izraelit për Kosovën”, kështu ka deklaruar ambasadori i shtetit hebre në Beograd, Jahel Vilan.
Në një intervistë për televizionin serb N1, Vilan ka thënë se shteti i tij do ta shohë mundësinë që njohja e Izraelit për Kosovën të mos ndikojë në raport me Serbinë.
“Nuk ka asnjë pikëpyetje nëse Izraeli do ta njohë apo jo Kosovën, sepse Izraeli e njohu Kosovën më 4 shtator dhe tani ne duhet të shohim se si të mos lejojmë që kjo të ndikojë në marrëdhëniet Serbi-Izrael. Izraeli nuk nënshkroi asgjë në Uashington, ne nuk ishim pjesë e atij takimi. Një marrëveshje u nënshkrua midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Shteteve të Bashkuara. Kryeministri ynë [Benjamin Netanyahu] ka mirëpritur njohjen e ndërsjellë të Izraelit dhe Kosovës”, tha Vilan.
Ai theksoi se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, nuk ka qenë i lumtur me këtë njohje, por sipas tij ky është vendim i Izraelit.
“Izraeli është shtet sovran dhe ky është vendimi ynë. Është nënshkruar marrëveshja, dhe nuk është një gjë që unë apo Vuçiqi mund ta ndërrojmë. Ne duhet të punojmë në përparimin e marrëdhënieve e të mos merremi shumë me diçka që është kryer para dy javë e gjysmë”, theksoi ai. /Insajderi.com