
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, ka mohuar se ka ndodhur ndonjë revokim i njohjeve për Kosovën. Ajo ka thënë se Serbia është duke bërë një fushatë të rreme lajmesh e mbështetur nga “Sputnik” dhe media të tjera.
Vuniqi në një intervistë për Epokën e Re, ka thënë se Serbia po abuzon me gjendjen ekonomike të disa vendeve duke përdorur diplomacinë e dollarit për të marrë nota verbale të falsifikuara.
Ajo ka paralajmëruar njohje të reja për Kosovën, duke thënë se disa vende janë në proces të vendimit për njohjen e shtetit të Kosovës.
Duke folur për liberalizimin e vizave, Vuniqi ka thënë se presin që Komisioni Evropian do ta rekomandojë dhënien e udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës, ndërsa sa i përket anëtarësimit në Interpol, ajo ka bërë me dije se janë duke punuar që Kosova të bëhet anëtare e saj.