Nuk kalon propozimi i PDK-së për heqjen e pikës për zgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi

Nuk kalon propozimi i PDK-së për heqjen e pikës për zgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi

Propozimi i Partisë Demokratike të Kosovës për t’u hequr nga rendi i ditës pika për zgjedhjen e Komisionit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, nuk ka kaluar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, njofton Insajderi.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka kërkuar që ky proces të kthehet në pikën e fillimit pasi, sipas tij, ka pasur reagime të vazhdueshme të shoqërisë civile.

“E kemi edhe një pikë që është diskutuar shumë dhe kontestuar shumë ku do të duhej të zgjedhej Komisioneri i Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Ky proces është përcjellë me shumë probleme, të meta dhe shkelje. Do të kërkoj nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe që ta tërheqin këtë pikë të rendit të ditës dhe të rikthehet procesi në fillim”, ka thënë Reçica.

“Është çështje shumë me peshë po ashtu siç është një çështje që ka shkaktuar shumë reagime – tri partitë opozitare shqiptare nuk kanë qenë pjesë e procesit, ndërsa kemi pasë reagim të vazhdueshëm të shoqërisë civile. Do të ishte e domosdoshme që të kthehej në pikën e fillimit”.

Këtë kërkesë e kanë mbështetur dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. /Insajderi.com