Nuk treguan se ishin nga Malisheva – 2 shitësit e fidanëve ‘marrin në qafë’ fshatin Krushë e Madhe

Nuk treguan se ishin nga Malisheva – 2 shitësit e fidanëve ‘marrin në qafë’ fshatin Krushë e Madhe

Janë plotë 20 qytetarë deri tash të fshatit Krush e Madhe dhe fshatrave përreth të cilët mund të jenë prekur nga Koronavirusi, shkruan Gazeta Insajderi.

Krejt kjo, pasi që në fshatin e tyre dy qytetarë nga Malisheva kanë shkuar për të shitur fidane, ndërkohë që ata pas kësaj ata kanë dalë pozitiv me Koronavirus. Këta dy qytetarë u kishin thënë banorëve të Krushës së Madhe, se vijnë nga Suhareka, duke mos ju treguar se ata vijnë nga një zonë e karantinuar.

Në lidhje me këtë për Gazetën Insajderi, ka folur kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, i cili ka treguar se që nga njoftimi në mëngjes që e ka bërë në faqe të fshatit e deri më tani, janë lajmëruar 20 qytetarë që kanë pasur kontakt me këta dy persona.

“Dy qytetarë nga një fshat i Komunës së Malishevës kanë ardhur këtu ditën e premte dhe kanë shitur fidane të cilat i kanë blerë qytetarët krushianë dhe fshatrat përreth, duke mos treguar se ata vijnë nga zona e karantinës, ndërsa qytetarëve u kanë thënë se vijnë nga Suhareka”.

“Kjo ka bërë që të shtohet paniku pasi që është kuptuar se ata fatkeqësisht janë të pozitiv me Koronavirus. Andaj është kërkuar nga policia që menjëherë të bëhet identifikimi i qytetarëve të cilët kanë pasur kontakt direk me ta. Është kërkuar që të gjithë këta qytetarë të lajmërohen në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Krushë për të parë se çfarë të bëhet tutje”, ka thënë Hoti për Insajderin.

Ai po ashtu ka treguar se u është kërkuar vetizolimi qytetarëve të cilët janë lajmëruar që kanë pasur kontakte me dy personat e prekur.

“U është kërkuar vetizolimi dhe jemi gjithë kohën në kontakt me ta. Ne do të vazhdojmë edhe më tutje identifikimin e tyre”, është shprehur Hoti, i cili ka përfunduar duke thënë që shpreson që këta qytetarë të mos jenë prekur nga virusi COVID-19, i cili sot ka quar në 3 numrin e Viktimave në Kosovë./ Insajderi.com