Kryetarët e Komunave të Kosovës nuk do të marrin pjesë në takimin e së premtes të ftuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për të diskutuar për situatën epidemiologjike në vend, përcjell Insajderi.com.
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar se kjo do të bëhet pasi që këta të fundit nuk janë ftuar në këtë takim, dhe kështu kanë kërkuar nga Kryetarët e Komunave të mos marrin pjesë në takim.
Sipas njoftimit, mosftesa e AKK-së është bërë me qëllim që të ketë përçarje mes tyre dhe Kryetarëve të Komunave.
Arsyeja është që AKK-ja si përfaqësues dhe trup i komunave nuk është ftuar në këtë takim. MAPL-ja ka ftuar vetëm Kryetarët. Mosftesa për Asociacionin e Komunave të Kosovës bëhet me qëllime përçarëse në mes AKK dhe Kryetarëve”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Tutje, AKK i ka bërë thirrje MAPL-së dhe Qeverisë që të ndalojnë injorimin e tyre si përfaqësues i kryetarëve dhe komunave, pasi që edhe në të kaluarën ka pasur kësi lloj injorimesh.
“Kryetarët vlerësojnë që pa AKK-në nuk duhet të marrim pjesë në këtë takim meqë nuk është hera e parë që niveli qendror vepron në këtë mënyrë.
I bëjmë thirrje MAPL, Ministrive dhe Qeverisë që të ndalojnë injorimin e AKK-së si përfaqësues i Kryetarëve dhe Komunave në Republikën e Kosovës”, njofton tutje Asociacioni./Insajderi.com