Rezoluta e LDK-së që ishte propozuar para dy ditësh, ku kërkohej dorëheqja e qeverisë nuk është votuar në Kuvend.
Deputetët e pozitës nuk kanë marrë pjesë në votim dhe kështu nuk ka pasur kuorum, shkruan Gazeta Insajderi.
Në votim kanë marrë pjesë vetëm 42 deputetë. Prej të cilëve 40 ishin për, 1 kundër dhe 1 abstenim.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se nuk kanë gjetur harmonizm me grupet e tjera parlamentare.
“Dje kemi ftuar në takim shefat e grupeve parlamentare. Nuk jemi harmonizuar për rezolutën që e ka propozuar grupi jon dhe VV-ja”, ka thënë Hoti.
Më poshtë mund ta lexoni rezolutën e LDK-së:
Forcat politike parlamentare të ulen në tryezën e bisedimeve për të dakorduar agjendën për krijimin e institucioneve të reja përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Pas këtij dakordimi, Qeveria e Kosovës të dorëhiqet dhe Kuvendi të shpërbëhet për t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja.
Forcat politike të dakordohen që gjatë kësaj periudhe të mos dëmtohen proceset e rëndësisë nacionale, duke u siguruar që të adresohen çështjet më urgjente para se të shpërbëhet Kuvendit, para së gjithash votimi i pakos së ligjeve për ushtrinë.
Prishtinë, 04.12.2018