Të mërkurën ka ndodhur takimi në mes ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Bleirm Kuçi me pronarin e Korporatës “Devolli”, Blerim Devolli. Burime të Insajderi-t thonë se nuk është arritur marrëveshje dhe është kërkuar që në takimet e ardhshme të marrë pjesë edhe kryeministri i vendit Avdullah Hoti. Shteti ka ofruar që borxhi i dënimit t’i kthehet Z-Mobile brenda tri viteve, ndërsa me këtë nuk janë pajtuar nga Devolli.

Të mërkurën është zhvilluar një takim në mes ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi me pronarin e Korporatës “Devolli”, Blerim Devolli.
Çështja e takimit ishin milionat të cilat Telekomi obligohet t’ia paguaj kompanisë Daradofon, pasi Gjykata e Arbitrazhit kishte vendosur në favor të Z-Mobile për shkak të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2010 në mes Telekomit e Z-Mobile.
Gazeta Online Insajderi.com, kishte raportuar për rrezikun potencial që i kanoset Telekomit në rast se nuk arrihet një marrëveshje deri në afatin e paraparë. Që ishte 1 tetori.
“Për marrëveshje është duke u punuar”, kishte thënë për Insajderi-n kryesuesi i Bordit të Telekomit, Mehmet Berisha, në artikullin e botuar më 30 shtator.
Këto punime kanë vazhduar deri më takimin e 14 tetorit në mes Blerim Kuçit e Blerim Devollit.
Burime në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit deklaruan për Insajderi-n se takimi ka ndodhur.
Ndërsa, burimet e tjera të Insajderit- brenda Telekomit kanë treguar se çfarë është diskutuar në tryezë.
“Ministri Kuçi ka kërkuar një afat tre vjeçar për kthimin e borxhit, ndërsa Devolli nuk ka pranuar që të ketë afat më shumë sesa 18 muaj”.
Takimi ka përfunduar pa marrëveshje.
E takimet në nivele të larta do të vazhdojnë në të cilat do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Takimi në mes kryeministri Hoti, ministrit Kuçi e Devollit pritet të zhvillohet në ditët në vijim.
Qeveria vazhdimisht ka premtuar se do të gjendet një marrëveshje, sepse mospajtimet në mes palëve ekzistojnë.
Ndërsa, rreziku nga falimentimi i Telekomit në rast se dënimi financiar ekzekutohet në llogaritë e Z-Mobile është shumë i lartë. /Insajderi.com