Pacientë shumë, pajisje pak

Numër i madh i pacientëve, por vetëm një respirator në Spitalin e Ferizajt – kërkohet ndihmë urgjentisht

I gjithë spitali i Ferizajt e ka vetëm një respirator, derisa të infektuar nga ky qytet janë qindra. Në Spitalin e Përgjithshëm në këtë qytet vetëm tani po trajtohen mbi 40 pacientë. Nga Ferizaj kërkojnë ndihmë – dhe atë urgjentisht.

Numër i madh i pacientëve, por vetëm një respirator në Spitalin e Ferizajt – kërkohet ndihmë urgjentisht

Në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj po trajtohen 42 dy pacientë për COVID-19, por i gjithë ky spital ka vetëm një aparat respirator – aparat ky i nevojshëm për të trajtuar pacientët që janë në gjendje më të rënduar nga virusi.

Gazeta Online Insajderi ka kontaktuar me Jeton Zeqirin, drejtorin e Përgjithshëm të Spitalit në Ferizaj. Ai e ka konfirmuar se për momentin kanë vetëm një aparat, derisa ka treguar se si po operojnë në kushtet aktuale.

“42 pacientë janë të hospitalizuar që janë duke u trajtuar, qoftë të konfirmuar me COVID-19, ose në pritje të rezultatit”, ka deklaruar Zeqiri.

“Po, është e vërtetë që kemi vetëm një aparat respirator, sepse Spitali i Ferizajt nuk ka pasur mjekim intensiv. Tani, e kemi adaptuar emergjencën e spitalit dhe e kemi për mjekim intensiv”

Pacientëve që u rëndohet gjendja, drejtori ka treguar se nisen për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa kur atje nuk ka vend, duhet të pritet në Ferizaj.

Sipas Zeqirit, ata i kanë njoftuar institucionet për gjendjen në të cilën po operojnë dhe se u duhen më shumë respiratorë.

“Ne e kemi bërë kërkesën. Besoj që shumë shpejt do të pajisemi me tre respiratorë”, ka deklaruar ai për Insajderin.

Gjithashtu ka treguar se janë gati për krijimin e një hapësire të re, e cila do të shndërrohej në spital ekskluzivisht për pacientë me COVID-19.

“Jemi në fazën përfundimtare dhe po presim të funksionalizohet një objekt që do të shndërrohet në spital vetëm për pacientë me COVID-19 për regjionin”.

Ai ka potencuar se “spitali i Ferizajt duhet në mënyrë urgjente që të pajiset me respiratorë, në mënyrë që ta tejkalojë këtë situatë të krijuar për shkak të numrit të madh të pacientëve që e frekuentojnë këtë spital”./Insajderi.com