Rreth 20 mijë qytetarë të Kosovës kanë kaluar kufirin Kosovë-Shqipëri, ditëve të fundit.
Kështu ka raportuar Qendra për Menaxhim të Kufijve.
Arsye për këtë fluks të madh të qytetarëve që po kalojnë vikendin në shtetin shqiptar janë masat anti-Covid të cilat i ka miratuar Qeveria e Kosovës, si rezultat i të cilave janë mbyllur lokalet e gastronomisë dhe është ndaluar lëvizja e qytetarëve pas orës 22:00, njofton Insajderi.
Në mesin e masave të vendosura më 5 prill nga Qeveria e Kosovës është edhe ndalesa që ju behët qytetarëve të huaj që hyjnë në Kosovë nga vendet me risk të lartë të virusit.
Këta qytetarë duhet ta paraqesin vërtetimin për test negativ, në të kundërtën duhet të vetizolohen për shtatë ditë.
“Qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të kryer brenda 72 orëve të fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit”, thuhet në vendimin e Qeverisë.
Përjashtim nga kjo pikë bëjnë qytetarët e Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në njëzetekatër orët e fundit.
Por, kjo vlen vetëm në bazë të parimit të reciprocitetit, pra për shtetet të cilat ju kërkojnë qytetarëve të Kosovës test RT-PCR negativ për COVID-19 kur dëshirojnë t’i kalojnë kufijtë. /Insajderi.com