Numri i dosjeve të Dardan Krivaqës përplasë Sveçlën me Gjykatën Themelore në Ferizaj

Numri i dosjeve të Dardan Krivaqës përplasë Sveçlën me Gjykatën Themelore në Ferizaj

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i është drejtuar gjykatësve se nëse “nuk e dinë sa dosje ka pasur Dardan Krivaqa atëherë çfarë mund të dinë”

Postimi i Sveçlës në Facebook erdhi pasi, Gjykata Themelore në Ferizaj i ka mohuar të enjten raportimet se i dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares, Marigona Osmani “i ka 136 raste penale”.

Vetë Xhelal Sveçla pas varrimit të Marigona Osmanit, kishte deklaruar se “është e çuditshme sesi një kriminel me ato vepra penale të jetë i lirë”.

Por, Gjykata Themelore në Ferizaj po thotë Krivaqa i ka pasur 10 lëndë.

“Në dosjen zyrtare të Policisë së Kosovës, krimineli Dardan Krivaqa figuron se është i akuzuar për 135 vepra penale, ku përveç vrasjes makabre, ai akuzohej edhe për shumë vepra të tjera përfshi përdhunim, zhvatje, mashtrim, kanosje, grabitje, sulm fizik, vjedhje, therrje me thikë të zyrtarit policor…lista është e gjatë, dhe nëse për këtë nuk dinë prokurorët dhe gjykatësit, atëherë çfarë dinë ata? Apo, ata dinë që këtë kriminel recidivist ta akuzojnë dhe shpërblejnë me dënim me kusht – punë në dobi të komunitetit”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

 

Marigona Osmani të dielën është dërguar e vdekur në Spitalin Rajonal të Ferizajt.

Policia e ka cilësuar këtë “vrasje e rëndë”, duke e arrestuar Dardan Krivaqën.

Për këtë ngjarje janë organizuar edhe protesta të cilat i ka mbështetur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. /Insajderi.com