Numri i shqiptarëve të prekur nga tërmeti që gjetën strehim në Kosovë

Numri i shqiptarëve të prekur nga tërmeti që gjetën strehim në Kosovë

Shifra të ndryshme u dhanë sa i për ketë numrit të shqiptareve, të cilët pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri, gjetën strehim në Kosovë.

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, llogaritë të kenë qenë mbi 2500 persona që erdhën për strehim, derisa Qeveria e Kosovës, prezantoi shifrën prej 1300 personave.

Të ardhurit kryesisht ishin nga dy vendet që u prekën më së shumti nga tërmeti, Durrësi e Thumana.

Rruga e tyre e vetme për të gjetur strehim ato ditë ishte ajo e “Kombit”.

Kosovarët fillimisht hapën dyert e shtëpive të tyre për t`i strehuar ata, ndërsa Qeveria e Kosovës rezervoi Parkun Inovativ në Prizren që menaxhohet nga Ambasada e Gjermanisë, që të gjithë ata që vinin nga Shqipëria të gjenin strehë aty.

Regjistrimi i këtyre familjeve ishte bërë vetëm në mënyrë deklarative, që do të thotë vetëm emri, mbiemri dhe qyteti nga vijën, shkruan Insajderi.

Sipas zëdhënëses së Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, rreth 1 mijë e 300 persona kanë ardhur dhe janë strehuar në rajone të ndryshme të Kosovës. Komuna e Prizrenit sipas saj, kishte edhe numrin më të madh të të strehuarve.

“Policia e Kosovës në bashkëveprim me autoritetet e tjera kanë evidentuar  që janë rreth 1300 persona të vendosur në rajone të ndryshme të Kosovës ku kryeson me numrin më të madh të strehuarve Komuna e Prizrenit”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë për Insajderin se të prekurve të tërmeti janë sjellë në mënyrë jo institucionale.

“Shumica e atyre që kanë ardhur në Kosovë, janë sjellë nga individ apo persona të caktuar do të thotë jo në mënyrë institucionale. Tash janë duke i evidentu policia në të gjitha komunat me ekipet  e agjencitë emergjente që i ka secila komunë dhe agjencinë e emergjencave në nivel nacional”, ka thënë Gashi për Insajderi.

Ndërsa Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, ka pasur një shifër tjetër të të ardhurve në Kosovë.

Ambasadori Qemal Minxhozi, ka thënë për Insajderin se sipas statistikave të ambasadës së Shqipërisë, gjithsej 2500 familje shqiptare kanë gjetur strehim në Kosovë.

“Janë gjithsej 2500 familje shqiptare që kanë ardhur në Kosovë. Ata janë ndarë nëpër të gjithë Komunat e Kosovës ku 700 persona ishin vendosur në Prizren, 250 janë vendosur në Gjilan ku vlen të theksohet se disa familje shqiptare që janë vendosur nëpër familje kosovare, fëmijët e tyre kanë nisur të shkojnë edhe në shkolla. Kështu që rreth 1800 tjerë i kemi ndarë nëpër komuna”, ka thënë Minxhozi.

Qenë ushtarak, ushqime, veshmbathje – ndihmat e Kosovës për Shqipërinë

Tre ekipe të Kërkim – Shërbimit Urban, një ekip i njësisë së përgatitur e qenve, ekip i komunikimit, policia ushtarake e FSK-së dhe ekipi i Mjekësisë, ishin nisur drejt Shqipërisë menjëherë për t’i dal në ndihmë pas tërmetit të fuqishëm.

Po atë ditë, edhe Qeveria e Kosovës kishte thirrur menjëherë një mbledhje të jashtëzakonshme pas gjendjes që kishte ndodhur mëngjesin e 26 nëntorit në Shqipëri, ku tërmeti prej 6.4 shkallës mori jetën e 51 personave.

Në këtë mbledhje të thirrur nga kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, u mor vendim që nga shpenzimet e paparashikueshme të buxhetit të Kosovës të ndahen 500 mijë euro për këtë fatkeqësi natyrore në Shqipëri.

Derisa Gazeta Insajderi kishte raportuar se rreth 3 mijë automjete nga Kosova kishin shkuar gjatë ditës së tërmetit në Shqipëri, të cilët kanë kaluar nëpër tri pika kufitare. Krejt ky udhëtim u ka kushtuar diku 21,770 euro në një drejtim.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovë, dhënë për Gazetën Insajderi, thuhet se në pikat kufitare Vërmicë, Qafë e Prushit dhe Qafë e Morinës, në total 2960 automjete kanë kaluar nëpër këto pika.

Vetura 2443, kamionë 333 dhe autobusë 184, shkruan Gazeta Insajderi.

2443 vetura të cilat paguan 5 euro për të shkuar u ka kushtuar diku 12,215 euro. 333 kamionëve, ku një drejtim është 22.5 euro u ka kushtuar 7,492.5 euro.

Ndërsa 184 autobusëve, ku një drejtim për ta është 11.2 euro u kanë kushtuar rreth 2,060.8 euro. /Insajderi.com