Numri i të prekurve nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut tejkaloi shifrën 13.000

Numri i të prekurve nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut tejkaloi shifrën 13.000

Gjithsej 159 raste të reja të COVID-19 nga një mijë e 733 testime janë regjistruar në raportin e të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut me çka numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve u ngrit në 13 mijë e 458. Më shumë raste aktive edhe më tej ka në Shkup, kryesisht në Komunën Çair, ku ka madje 114 raste aktive.

Numri i përgjithshëm i pacientëve të shëruar nga fillimi i epidemisë është 10 mijë e 52 ndërsa i të vdekurve 563. Për momentin numri i rasteve aktive në këtë vend është 2843. Nga 159 rastet e reja me COVID-19 në Shkup janë 32 ndërsa pasojnë Kumanova – 25, Gostivari – 22 dhe Struga – 15.

Në qytetet e tjera numri i të prekurve është njëshifror dhe vijon: Berova nëntë, Tetova nëntë, Shtipi tetë, Prilepi shtatë, Gjevgjelia pesë, Kavadari pesë, Ohri katër, Dellçeva katër, Kërçova tre, Velesi, Koçani dhe Vinica nga dy, nga një Dibra, Strumica, Radovishi, Pehçeva dhe Manastiri.

Instituti për Shëndet Publik dje i regjistroi 75 pacientë të shëruar edhe atë Shkup 27, Dibër tre, Shtip tetë, Manastir katër, Gostivar nëntë, Kërçovë 13, nga dy nga Velesi dhe Negotina dhe nga një nga Kumanova, Prilepi, Tetova, Krusheva, Koçani, Makedonski Brod dhe Vinica.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në raportin e djeshëm janë regjistruar gjashtë persona të vdekur. Katër nga të vdekurit janë nga Shkupi të moshës 77, 80, 85 dhe 86 vjeç, një pacient
është nga Gostivari i moshës 61 vjeçare dhe një nga Shtipi i moshës 76 vjeçare.

Pesë kanë vdekur në kushte spitali ndërsa një jashtë. Në Klinikën Infektive në 24 orët e kaluara janë pranuar gjashtë pacientë. Gjithsej të hospitalizuar janë 67 pacientë prej të cilëve në mbështetje oksigjeni janë 31 pacientë ndërsa nuk ka asnjë në respirator.

Në repartet infektive në Tetovë, Ohër, Veles, Kumanovë, Prilep, Gostivar, Strumicë dhe Strugë të hospitalizuar janë 93 pacientë – pozitivë dhe të dyshimtë për COVID-19. Siç thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë, nga komunat e Shkupit edhe më tej komunë me numrin më të madh të rasteve aktive është Çairi me 114 raste. /Insajderi.com