Nushi: Brenda javës fillon rialokimi i mjeteve tjera prej 50 euro për qytetarët që kaluan COVID-19

Nushi: Brenda javës fillon rialokimi i mjeteve tjera prej 50 euro për qytetarët që kaluan COVID-19

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, ka njoftuar se brenda një jave do të vazhdojë rialokimi i mjeteve të tjera për qytetarët të cilët kanë kaluar COVID-19, me nga 50 euro.

Nushi ka njoftuar gjatë dhjetorit dhe janarit janë subvencionuar 10 mijë e 320 qytetarë me gjithsej 652 mijë e 750 euro.

“Kemi diskutuar edhe me Thesarit dhe janë shumë afër që të nënshkruhet nga drejtori i Thesarit pastaj të përcillet bartja deri te ministri i Ekonomisë dhe Financave dhe pastaj fillon menjëherë rialokimi i këtyre mjeteve, por besoj që brenda një jave përfundon krejt procedura. Me pagesa kemi filluar që në dhjetor të vitit të kaluar. Në dhjetor dhe janar janë subvencionuar 10 mijë e 320 qytetarë në shumë totale prej 652 mijë e 750 eurove”, ka thënë ai.

Sipas tij, aplikimi i qytetarëve të infektuar me COVID-19 është i hapur gjatë tërë vitit dhe që të gjithë do të subvencionohen me nga 50 euro.

“Pjesa tjetër e qytetarëve do të vazhdojë të subvencionohet sapo të përfundojë bartja e pjesës së mjeteve nga viti i kaluar në thesar. Aplikimi i qytetarëve të infektuar me Covid është i hapur gjatë tërë vitit dhe që të gjithë do të subvencionohen qoftë me 50 euro”, ka thënë ai për EO.

Mes tjerash, Nushi shtoi se deri më tani janë subvencionuar 933 biznese në vlerë prej një milion e 71 mijë e 320 eurove, ku do të vazhdojë edhe subvencionimi i katër mijë bizneseve të tjera.

“Procedura e njëjtë edhe për biznese vlen siç ka vlejtur edhe për personat e infektuar me Covid-19. Edhe për biznese kemi filluar pagesa gjatë vitit të kaluar. Deri më tash gjithsej i kemi subvencionuar 933 biznese në vlerë prej 1 milion e 71 mijë e 320 eurove. Vazhdon edhe subvencionimi i 4 000 bizneseve të tjera”. /Insajderi.com