Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, ka deklaruar se kanë kërkesa të mëdha nga qytetarët për të kryer testimin rapid në Qendrat e Mjekësisë Familjare.
Ai ka thënë se në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen “Emshir”, brenda ditës testohen 500 qytetarë.
“Testimi rapid i QMF në lagjen “Emshir”, po zhvillohet me përcaktim të terminëve sepse kemi kërkesa të jashtëzakonshme. Qytetari pret në rend në momentin që e ka terminin e caktuar hynë brenda merret mostra PCR. Deri në 250 mostra në një ndërrim po merren, ndërsa në dy ndërrime afër 500 qytetarë po testohen çdo ditë për teste rapide te ne”, ka thënë Nushi për EO.
Rritja e numrit të rasteve ka bërë që të ketë diskutime për ndryshim të masave, madje edhe mbylljen e shkollave.
E për këtë Nushi thotë se është në kompetencën e Qeverisë, por sipas tij, situata në shkolla është e menaxhueshme.
“Se a duhet të mbyllen shkollat është vendim i Ministrisë së Arsimit. Në rast se dikush qoftë në çerdhe qoftë në shkolla, kemi një ose dy nxënës të infektuar ajo klasë shkon online. Mirëpo situata në shkolla i është e menaxhushme dhe po besoj që nuk do të vijmë në situate që do mbyllen shkollat”, shtoi ai. /Insajderi.com