Nushi: Të testuarit për COVID-19 në klinkat private nuk do të rimbursohen

Nushi: Të testuarit për COVID-19 në klinkat private nuk do të rimbursohen

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, derisa ka folur për pakon e ndihmës për personat e prekur me COVID-19 në kryeqytet, ka njoftuar se ata që janë testuar në laboratorët privatë nuk do të jenë pjesë e kësaj pakoje, njofton Insajderi.

Ai tha se janë afër një milion euro shpenzime për këtë pako duke marrë parasysh shifrat e të infektuarve deri sot.

Tutje, ai shtoi se kanë pasur kërkesa që të mos pranohen vetëm testimet nga IKSHPK-ja, por në subvencionim të hynë edhe testet serologjike në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

“Unë e konfirmoj që edhe ata që e kanë kryer testin serologjik në Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe kanë dalë pozitivë do t’u pranohen, kurse ata të cilët i kanë kryer në laboratorët privatë nuk do të pranohen”, ka thënë ai në Express Intervista.

Nushi tha se komuna e Prishtinës ndan më pak para për të prekurit me Coronavirus sesa komunat tjera, për shkak se në këtë komunë numri i të infektuarve është shumë më i madh./Insajderi.com