Oda e Afarizmit të Kosovës ka ripërsëritur kërkesën që të largohet ora policore dhe kufizimet në orar që të shtohen masat gjatë 24 orëve, njofton Insajderi.
Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë të krijuar nga pandemia, OAK rikërkon heqjen e menjëhershme të orës policore dhe kufizimeve ose mbështetje direkte për bizneset dhe punëtorët për humbjet që po u shkakton ky vendim duke i’u ndaluar të drejtën e punës, kërkesë kjo e dalë nga takimet që OAK që mbanë në vazhdimësi me bizneset.
“Ritheksojmë se ne jemi të vetëdijshëm se bëhet fjalë për shëndetin tonë, mirëpo krahas shëndetit duhet të mendohet edhe për rimëkëmbjen e ekonomisë. Andaj, OAK rikërkon largimin e kufizimeve të deritanishme të vëna nga Qeveria e Kosovës dhe respektimin në mënyrë restriktive të masave të parapara nga IKSHPK-ja”.
Ndërsa sa i përket Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike OAK kërkon që të përfshihen edhe disa kërkesa të bizneseve si ajo që të rritet fondi për garanci kreditore në 300 milionë euro, duke iu ofruar kështu mundësi të marrjes së kredive me garancion shtetëror dhe me kamata më të ulëta, të ulet norma e interesit nga BQK në 1.7%, ulja e Tvsh-së në ushqim, turizëm dhe hotelieri në 5%. /Insajderi.com