Objekti i Emergjencës do të shndërrohet klinikë për COVID-19

Objekti i Emergjencës do të shndërrohet klinikë për COVID-19

Objekti i Klinikës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, shumë shpejt do të shndërrohet në Klinikë për trajtimin e pacientëve më COVID-19, transmeton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, i cili është deklaruar rreth kapaciteteve që ka QKUK-ja. Krasniqi tha se në rast të shtimit të rasteve pozitive, kanë 900 shtretër që mund t’i vejnë në dispozicion.

“Është një vendim i ministrisë së Shëndetësisë që ndërtesa e Klinikës Emergjente të adaptohet dhe të shfrytëzohet për pacientët me Covid. Këto procedura është duke i udhëhequr MSh-ja dhe janë duke u zhvilluar atje këto procedura. Nuk e dimë kur do ta kemi në dispozicion por pavarësisht kësaj ne kemi plane që për të gjithë pacientët që do të kenë nevojë për trajtim spitalor t’i pranojmë nëpër spitale”.

“Ne kemi afro 900 shtretër që mund të vejmë në dispozicion nëse paraqitet nevoja. Jemi duke punuar intensivisht edhe në projektet që tashmë janë hartuar, siç është shtrirja e oksigjenit qendror nëpër klinikat e caktuara në mënyrë që të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm me oksigjen të lëngshëm”, ka thënë Krasniqi për EO. /Insajderi.com