Objekti i mbrojtur me ligj që po rrezikon qytetarët, nën “mëshirën” e një komisioni

Objekti i mbrojtur me ligj që po rrezikon qytetarët, nën “mëshirën” e një komisioni
Burimi i fotografisë: Agan Kosumi / Insajderi

Një shtëpi e vjetër pranë rrugës “Luan Haradinaj” në Prishtinë, e cila është e mbrojtur me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore pret fatin e komisionit vlerësues, i cili sipas Komunës së Prishtinës është në formim e sipër prej tyre dhe Ministrisë së Kulturës.

Kjo shtëpi, përveç veçantisë që posedon, ka bërë që Komuna e Prishtinës të mundohet të gjejë një zgjidhje të shpejtë për të, sepse ajo po rrezikon edhe jetët e qytetarëve.

Objekti gjendet buzë trotuarit dhe në të janë të vendosura disa drunj për mbajtjen e tij. Komuna e Prishtinës pas vlerësimit për rrezikshmërinë e këtij objekti, e ka rrethuar objektin ne mënyrë që të mos kalojnë qytetarët pranë tij.
IMG_sdsd7675Zëdhënësi i komunës, Adonis Tahiri ka thënë se komuna do të marrë masa rreth këtij objekti, në koordinim me ligjet në fuqi.

“Aktualisht jemi duke formuar një komision bashkë me ministrinë përkatëse ashtu që t’i vlerësojmë të gjithë objektet që janë nën mbrojtje si trashëgimi kulturore, dhe të shohim se cili mund te rinovohet, e ndaj cilit duhet të shkohet me masa të tjera sipas ligjeve që janë në fuqi”, ka thënë Adonis Tahiri, zyrtar për informim në Komunën e Prishtinës.

Pronarët e tri bizneseve të ndryshme që rrethojnë objektin me plasaritje të shumta, kanë mendime të ndryshme lidhur me atë se çfarë duhet bërë me të.

“Kjo është pjesë e trashëgimisë kulturore dhe sigurisht se duhet bërë zgjidhje, renovim apo ri ndërtim por me pamje të njëjtë, gjithashtu edhe qytetarëve duhet bërë zgjidhje pasi që ky objekt është shumë afër trotuarit”, ka thënë Sadije Mjekiqi, avokate e cila ka zyrën e saj ngjitur me shtëpinë e mbrojtur me ligj.
IMG_7679

Mendim të kundërt ka një shitës, kioska e të cilit gjendet afër objektit të rrethuar.

Ai thotë se “objekti duhet shkatërruar”, pasi që sipas tij objekti është tejet i vjetër dhe shkakton rrezik të madh për qytetarët.

Të njëjtin mendim ndan edhe një punonjës parkingu veturash, por sipas tij në vendin e njëjtë duhet ndërtuar një objekt i ri. /Insajderi.com