Këshilltari për Siguri Kombëtare Robert O’Brien, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, Richard Grenell dhe këshilltari i presidentit Trump, Jared Kushner, e cilësuan të jashtëzakonshme nënshkrimin e marrëveshjes ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, njofton Insajderi.
Robert O’Brien tha se marrëveshja pasoi një punë të madhe nën udhëheqjen e presidentit Trump.
“Konflikti Serbi – Kosovë po vazhdon me dekada, Ata ishin bllokuar dhe nuk mund të lëviznin përpara për shumë vjet dhe presidenti (Trump) kohë më parë vendosi që ne të provojmë diçka të re, t’i japim fund bllokadës dhe të çojmë përpara procesin e paqes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.
Ndërsa ambasadori Grenell tërhoqi vërejtjen në të kaluarën e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, prandaj tha ai, kjo çfarë ndodhi në Shtëpinë e Bardhë është historike.
“Ky është normalizim ekonomik. Është hapi i parë. Mendoj se evropianët do të jenë shumë të kënaqur. Kemi biseduar disa herë në telefon me këshilltarët për siguri në Gjermani dhe në Francë për t’i njoftuar ata”.
Ndërsa këshilltari i presidenti Trump, Jared Kushner tha se kjo marrëveshje është një tjetër kapitull që kjo administratë ka arritur ta shkruajë për ta bërë botën më të sigurt dhe më paqësore.
“Kthesa e sotme është vërtetë historike dhe kishim shumë gjera të tilla këtë javë”, tha Kushner duke vënë theksin tek vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.
Zyrtarët lartë thanë marrëveshja përfshinë një gamë çështjesh që do të krijojnë hapësirë për një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë./Insajderi.com