Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka thënë se në Kosovë flitet për votues të një partie sikur tifoz futbolli.
Këto komente, O’Connell i bëri në diskutimin publik me temë “Rritja e transparencës dhe llogaridhënies ndaj zgjedhësve”, të organizuar me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Sipas tij, demokracia ka nevojë për qytetari aktive, media të lira dhe profesioniste, deputetë që kanë kontakt me qytetarët.
“Qytetarët nuk duhet të pranojnë vendime të këqija, sidomos nga partitë që i kanë votuar. Nuk duhet fajësuar një parti ose tjetër. Në Kosovë flitet për votues të një partie sikur tifoz futbolli. Këta votues mund ta ndërrojnë partinë”. “Demokracia ka nevojë për qytetari aktive, media të lira dhe profesioniste, deputetë që kanë qasje me qytetarë”.”Demokracia nuk është sistem që mbijeton duke mos pasur kujdes ndaj saj. Deputet duhet të bëjnë çfarë kërkojnë qytetarët”, ka thënë ai, raporton Ekonomia Online.
Ndërsa deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka përmendur bllokimin që bëjnë pakicat në çështjet e mëdha.
“Për gjatë këtyre 10 viteve është dëshmuar se qytetaria aktive në raport me politikanë është treguar jashtëzakonisht e mirë. 20 vite pas luftës kemi mbipërfaqësim të pakicave që mbizotërojnë dhe e bllokojnë vendimmarrjen”, ka thënë Osmani.
Xhevahire Izmaku nga PDK-ja tha se ata mundohen të jenë transparent me votuesit.”Fatbardhësisht janë rrjetet sociale që na mundësojnë komunikimin me votuesit tanë. Ne kemi punë shumë si deputet me e rregulluar llogaridhënien”.
Fitore Pacolli nga radhët e VV-së tha se në Kosovë ka autokraci.
“Sot është dita aktuale që duhet të flasim për demokracinë. Ne si shtet nuk kemi arritur të ecim drejt një demokracie të plotë. Sistemi ynë ka disa elemente të demokracisë por ka edhe elemente të autokracisë duke u bazuar në veprimet e disa politikanëve”. Ajo më tej shtoi se fatkeqësisht institucionet kanë punuar pak që ta ndërtojmë një qeveri aktive.
“Unë mendoj që në Kosovë nuk ka demokraci”, ka thënë deputetja e Vetëvendosjes.
Ahmet Isufi nga AAK-ja, tha se duhet të lihen anash interesat e caktuara politike dhe të gjitha partitë për tema të mëdha.
“Shumë nga seancat kanë ndodhur që të mos ketë kuorum dhe do të thotë qe kemi papërgjegjësi të deputeteve. Segmentet politike të caktuara për hirë të demokracisë duhet t’i lënë inatet politike dhe të bashkohemi në tema të mëdha”, është shprehur Isufi.
Ai ka thënë se opinioni duhet të jetë më i fokusuar që ti bëjnë deputetet më llogaridhënës ndaj qytetarëve.