O’Connell: Shteti është kapur – çka t’u them investitorëve kur njerëz si Emin Beqiri udhëheqin Policinë

O’Connell: Shteti është kapur – çka t’u them investitorëve kur njerëz si Emin Beqiri udhëheqin Policinë

Shteti i Kosovës është i kapur, ka thënë sot Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Conell, teksa ka dhënë një deklaratë – ndoshta më të fuqishmen që prej se shërben si diplomat në Kosovë – në një koment në Facebook të enjten.

Në një bashkëbisedim me qytetarët e Kosovës përmes rrjetit social Facebook, O’Connell ka deklaruar se mosfunksionimi i gjykatave vendore është një problem i madh për Kosovën.

Ambasadori britanik ka përmendur rastin e ish-drejtorit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqirit, i cili u lirua nga Gjykata e Apelit ndonëse një video e publikuar dëshmonte se Beqiri ishte i përfshirë në një aferë korruptive.

“Mendoj qe ky është vërtete një problem, rasti i Emin Beqirit me vjen ne mendje, ai ishte incizuar duke u përfshire ne gjera te këqija. Ai u shpall i fajshëm nga gjykata themelore, dhe është hedhur poshtë nga gjykata e apelit, për deri sa gjykata supreme e sheh si jo te ligjshme, por sigurisht u dënua dy here dhe zotëri Beqiri nuk vuajti asnjë dënim”, ka thënë O’Connell.

O’Connell ka deklaruar se kur zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës përfshihen në afera të tilla kriminale, atëherë hapen probleme edhe për investitorët potencial që duan të investojnë në Kosovë.

“Une kam investitor Britanik te cilët duan te investojnë ne Ferizaj, por si mund te ulem unë ne takim me ta dhe te ju them ‘Mos u brengosni sepse paratë tuaja janë te sigurta ne Ferizaj’, kur ne e dimë se njerëzit si keta udhëheqin policinë, dhe kur e dimë qe këto lidhje me kriminalitetin vazhdojnë dhe kur sistemet gjyqësore bëjne gabime dhe nuk ka përgjegjësi për ata gjykatës qe janë duke i bere këto, dhe është një fjale për ketë: KAPJE E SHTETIT”, ka deklaruar O’Connell.

Muajin e kaluar, ish-shefi i Krimeve Ekonomike të Policisë, Emin Beqiri, i cili akuzohej për keqpërdorim të detyrës, pengim të provuarit dhe moslajmërim të veprës penale u gradua në detyrë.

Atij iu besua posti i komandantit të Policisë për rajonin e Ferizajt.

Mirëpo para një viti Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj tij dhe biznesmenit Rrahim Hashimi pasi dyshoheshin se kishin kryer vepra penale. Por, pasi Gjykata Themelore kishte vendosur që Beqiri dhe Hashimi të gjykoheshin lidhur me veprat për të cilat dyshoheshin, shkalla e dytë e gjykatës, ajo e Apelit, e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj tyre. /Insajderi.com