Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e ka cilësuar marrëveshjen për normalizimin ekonomik të nënshkruar në Uashington nga Kosova dhe Serbia, si një marrëveshje që hap mundësi të reja për zhvillimin ekonomik për të dyja shtetet dhe për tërë Ballkanin Perëndimor, njofton Insajderi.
Siç thuhet në kumtesën e kësaj ode, kjo marrëveshje nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmirëson shkëmbimin reciprok ekonomik, siguron burime të reja të financimit dhe tregon mundësi për përdorim në mënyrë më efikase të aseteve të përbashkëta natyrore.
“Vetë marrëveshja do të ketë si rezultat përshpejtimin e rritjes ekonomike përmes nxitjes së investimeve të brendshme e tërheqjes së investimeve të jashtme, si dhe krijimin e vendeve aq shumë të nevojshme të punës”, thuhet në kumtesën e OEAK-së.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë vlerëson se hapja e mundësive për përfitime financiare nga Korporata Ndërkombëtare Financiare Zhvillimore e Shteteve të Bashkuara (DFC) si dhe Banka EXIM do të mundësojnë zhvillimin e infrastrukturës transportuese, përfshirë ndërtimin e autostradës së paqes dhe lidhjeve hekurudhore të cilat do të shtrihen deri në portet detare të detit Adriatik. Sipas tyre, kjo do t’i mundësonte Kosovës të vjelë përfitime të mëdha ekonomike nga pozita e saj qendrore gjeografike në rajonin e Ballkanit, si një pikë e rëndësishme lidhjeje ndërmjet shteteve të këtij rajoni dhe më gjerë.
“Përkrahja financiare nga institucionet e sipërcekura është po aq e rëndësishme edhe për lehtësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat do të kenë një burim të ri të financimit për rritjen dhe zhvillimin e tyre”, vijon OEAK. /Insajderi.com