Oda Amerikane ka reaguar për vendimet e marra nga disa Kuvendeve Komunale lidhur me atë se të dielave duhet të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset.
Ata me anë të një njoftimi për media bëjnë të ditur se janë të shqetësuar lidhur me këto vendime të cilat sipas tyre do të kufizojnë aktivitetet ekonomike, e rrjedhimisht do të ndikojë edhe në ngadalësimin e rritjes ekonomike në përgjithësi.
“Oda Amerikane beson se kufizimi i punës së bizneseve, do të ketë implikime në thellimin e mëtejmë të nivelit të papunësisë në vend, në kundërshtim me përpjekjet e gjithëmbarshme për fuqizim të sektorit privat, krijim të vendeve të reja të punës dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve”.
“Duke u ndërlidhur me arsyetimet e disa autoriteteve lokale, Oda Amerikane rikujton se marrëdhëniet ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve, përfshirë këtu edhe orarin e punës së të punësuarve, pushimin javor, punën pas orarit, gjatë ditëve të fundjavave dhe ditëve të festave zyrtare, janë të rregulluara me Ligjin e Punës, ndërsa autoritetet shtetërore duhet të sigurojnë zbatimin e drejtë të këtyre dispozitave përkatëse nga ana e punëdhënësve”.
“Në fund, Oda Ekonomike Amerikane thërret komunat që tashmë kanë marrë vendime të tilla të rishikojnë ato, si dhe të marrin në konsideratë edhe shqetësimet dhe rekomandimet e sektorit privat para marrjes së vendimeve të tilla që vënë kufizime në punën e këtyre të fundit”, shkruhet në këtë njoftim. /Insajderi.com