Oda e Afarizmit: Rreth 30 mijë punëtorë janë larguar nga puna

Oda e Afarizmit: Rreth 30 mijë punëtorë janë larguar nga puna

Deri në 30 mijë punëtorë janë larguar nga puna si pasojë e falimentimeve të bizneseve gjatë kohës së pandemisë në Kosovë, njofton Insajderi.

Kështu është thënë sot nga Oda e Afarizmit të Kosovës në një konferencë për media me temën “Pandemia dhe vështirësitë e të bërit biznes”.

Anëtari i Bordit të OAK, Hasan Gigollaj, tha se si pasojë gjendjes së rëndë, një numër i konsideruar i bizneseve janë mbyllur dhe fatkeqësisht ky numër është në rritje.

“Bazuar në të dhënat në terren, del se numri i punëtorëve që janë larguar nga puna po sillet rreth 30 mijë dhe nëse vazhdohet me këtë avaz dhe nëse nuk e kemi përkrahjen e shtetit atëherë këto shifra rrezikohet të shkojnë nga 50 mijë deri në 70 mijë qytetarë të papunë”, tha Gigollaj.

Ai ka ritheksuar se disa herë kanë adresuar tek qeveria, por edhe tek deputetët, kërkesat për bizneset por që të njëjtat nuk janë marrë parasysh, ndërkaq ka kërkuar që sa më parë të miratohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike nga Kuvendi I Kosovës.

Derisa, zyrtarja ligjore e OAK, Diellza Zeqiri ka folur rreth harmonizimit dhe ndryshimit të ligjeve për arsye të bizneseve dhe investitorëve të huaj.

“Oda e Afarizmit të Kosovës ka disa propozime lidhur me harmonizimin e ligjeve dhe plotësim-ndryshimin e tyre për arsye se bizneseve dhe investitorëve të huaj po iu vështirësohet bërja e biznesit në Kosovës. Si propozime për plotësim të ndryshimit të ligjeve janë kryesisht ndryshimi i udhëzimeve administrative nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rurale cila afekton sidomos në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, minierave, mineraleve dhe turizmit. Po ashtu, Ligji i Punës dhe Lehonisë, Ligji për Tregti të Brendshme, Ligji i Minierave dhe Mineraleve të ulet TVSH-ja për turizëm dhe ushqime në 5 përqind. TVSH të paguhet në inkasim e jo në faturim, të krijohen oferta për biznesin, Ligji për investime strategjike si dhe ndryshimi i ligjit për shoqëri tregtare”, tha ajo. /Insajderi.com