Oda e Hotelierisë kërkon nga Qeveria të zgjasë orarin e gastronomisë dhe heqjen e orës policore

Oda e Hotelierisë kërkon nga Qeveria të zgjasë orarin e gastronomisë dhe heqjen e orës policore

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që pas 13 shtatorit, të zgjatet orari i hotelierisë dhe gastronomisë deri në 23:00 dhe të hiqet ora policore, njofton Insajderi.com.

Përmes një postimi në Facebook, OHTK ka theksuar se këto kërkesa vijnë pasi që bizneset e hotelierisë dhe gastronomisë nuk kanë përfituar asnjë pako ndihmëse nga Qeveria.

“Duhet të theksojmë se përderisa bizneset e hotelierisë dhe gastronomisë si dhe gjitha sektoret e tjera nuk kanë përfituar as edhe një pako ndihmëse nga qeveria, kërkesat tona janë që të lirohen masat dhe këto sektore të jenë të hapura deri në orën 23:00. Gjithashtu, OHTK që nga fillimi ka qenë kundër orës policore prandaj nuk është e arsyeshme që të vazhdohet akoma me të”, thuhet në reagimin e OHTK-së.

Po ashtu, kjo Odë ka kërkuar që sa më shumë të ketë kontrolle nëpër biznese dhe në mënyrë rigoroze të kërkohet dëshmia që janë vaksinuar kundër COVID-19 ose me rezultat negativ.

Ndryshe, gjatë të mërkurës, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media tha se sipas situatës aktuale, nuk do të ketë ndryshim të masave anti-COVID-19./Insajderi.com