Oda e Mjekëve të Kosovës ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të mjekut në Podujevë, Ibrahim Hoti, i cili u arrestua të enjten mbrëma pas publikimit të një video në media, ku shihet duke mos i dhënë ndihmë një pacienti të sëmurë, njofton Insajderi.
Në reagimin për media, OMK e ka quajtur të padrejtë veprimin e policisë, teksa ka shtuar se arrestimi i mjekut “ka bërë që me qindra pacientë të mbesin në kohë pandemie pa marrë shërbime dhe trajtim specifik”.
“OMK i bënë thirrje autoriteteve të hetuesisë dhe nivelit komunal të Komunës së Podujevës që para se të ndërmarrin veprime spektakolare duke arrestuar një mjek pa respektuar procedurat verifikuese mbi respektimin e protokoleve mjekësore të bëjë lirimin e menjëhershëm të Dr. Hotit deri në verifikimin e rastit, përndryshe neve si përfaqësues të komunitetit të mjekëve, edhe në kushte pandemie, do të detyrohemi për ndërmarrjen e masave sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në reagimin e tyre.
“OMK qëndron fort prapa zbatimit të ligjeve dhe Kodit të deontologjisë mjekësore por edhe në ngritjen e zërit dhe ndërmarrjen e veprimeve në mbrojtjen e komunitettit në rast të ndërmarrjes së masave arbitrare dhe denigruese ndaj kolegëve tonë”, thuhet tutje në reagim./Insajderi.com