Oda Ekonomike paraqet Daut Demakun si transformues ekonomik dhe social të vendit

Oda Ekonomike paraqet Daut Demakun si transformues ekonomik dhe social të vendit

Oda Ekonomike e Kosovës nesër iu jep fund problemeve të biznesit kosovar. Safet Gërxhaliu, drejtues i kësaj ode e ka marrë përsipër ta orientoi frymën e biznes-bërjes kosovare me pozitivizëm. Për ligjëratë e ka ftuar njohësin e teorisë së pozitivitetit, Daut Demakun.

“Ju njoftojmë se nesër e Marte date 08.08.2017 ne ora 11:00 ne lokalet e Odes Ekonomike te Kosoves mbahet konferenca për media me temen:“Aktualiteti  politiko – ekonomik ne Kosove dhe mundesia e transformimit pozitiv te shoqerise”.  Nje çasje me ndryshe, dimensione pozitive dhe optimizem  nga z. Daut Demaku, udhehequr nga Kryetari i Odes Ekonomike te Kosoves z. Safet Gerxhaliu”, thuhet në njoftimin e Odës Ekonomike (që ka mungesë edhe të shkronjës “ë”).

Gërxhaliu e Demaku, për idetë e tyre mbi pozitivizmin presin që të kenë të pranishëm “përfaqësues të komunitetit të biznesit, shoqërisë civile, korit diplomatik si dhe të mediave”, thuhet në komunikatën e tyre, raporton Express

Edhe katër vite më parë Safet Gërxhaliu e Daut Demaku ishin ulur bashkë, e madje kishin nënshkruar edhe një memorandum i pari si përfaqësues i Odës Ekonomike e Demaku si përfaqësues i Institutit Amerikan për Mendim Pozitiv.

Gërxhaliu atë botë kishte konstatuar se “bagazhi intelektual që ka me vete Instituti në fjalë është një mundësi e re për motivim, është një motivim i ri për shpresë-dhënie të punëtorëve dhe mbi të gjitha largim i brengave të përgjithshme nga pronarët e kompanive”, derisa  Demaku ndër të tjera kishte thënë bindshëm që: “Tash ka ardhur koha e veprimit pozitiv”.