Oda Ekonomike e Kosovës, e mbështetë pakon e re të Qeverisë së Kosovës për tërheqjen e 10-të përqind të mjeteve nga trusti pensional. Por sipas këtij institucioni, paratë e marra duhet të shpenzohen në produkte vendore e jo të importuara, në mënyrë të që rritet impakti ekonomik.
Oda Ekonomike e Kosovës, ka deklaruar për Kosovapress, se mjetet që qytetarët e Kosovës do t’i marrin nga Qeveria në kuadër të pakos emergjente për tejkalimin e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, do duhej të shpenzoheshin në blerjen e produkteve vendore.
Nga ky institucion ekonomik, thonë se e përkrahin idenë e qeverisë së re për pakon emergjente, duke deklaruar se është një instrument tejet i rëndësishëm për mbajtjen e nivelit të konsumit në kohë të pandemisë.
Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, ka thënë se Plani i Qeverisë në krye me Avduallah Hotin për tërheqjen e 10-të përqindëshit të kursimeve pensionale të kosovarëve, duhet të kushtëzohet me shpenzimin e këtyre parave në ekonominë vendase.
“Këtë e shoh si një prej instrumenteve goxha të rëndësishme në mbajtjen e nivelit të konsumit apo të fuqisë blerëse. Por, një diçka që i kisha shtuar kësaj është mirë që të kushtëzohet kjo që, ato mjete të mbesin në ekonominë tonë. Pra, ato mjete nëse tërhiqen prej qytetarëve të mos shkojnë për mallra të importuara, por të synohet që ato të destinohen për blerje të prodhimeve vendore dhe të mos shpenzohen për produkte të huaja.
Qeveria e re e Kosovës në krye me Avdullah Hotin, ka sjellë propozimin për tërheqjen e 10% të kursimeve të qytetarëve të Kosovës në Trustin Pensional.
Kontributet e kosovarëve do të shfrytëzohen nga Qeveria e Kosovës, në kuadër të pakos emergjente fiskale për ta tejkaluar krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19. /Insajderi.com