“Është turp për fqinjt e Dragica Gashiq në Gjakovë që lejuan të abuzohet një grua e cila nuk shqetëson askënd”.
Kështu është shprehur Kryetari serb i Komisionit për Personat e Zhdukur, Veljko Odaloviq, për mediumin publik serb ‘RTS’, i cili thotë se shpreson që pas siç e quan ai, këtij presioni dhe fushatave që janë zhvilluar agonia e kësaj gruaje serbe, e cila nuk rrezikon kurrë askënd, do të ndalet dhe se bashkësia ndërkombëtare do të reagojë.
“Kjo ka shkuar në ekstremin tjetër. Shpresoj që pas gjithë presionit dhe fushatave nga të dy palët – agonia e saj do të ndalet dhe së dyti, ato organizata joqeveritare që u mblodhën dhe ngritën zërin e tyre kundër gruas serbe e cila nuk rrezikon askënd – bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë “, thotë Odaloviq.
Ai theksoi se “Kosova është nën administrimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe se Rezoluta 1244 është e gjallë”.
Ditë më parë Komuna e Gjakovës ka dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, me anë të së cilës kërkohet “anulimi i kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme”, për Dragica Gashiq.
Në fillim të qershorit të këtij viti, Gashiq u bë serbja e parë që u kthye për të jetuar në këtë komunë. /Insajderi.com