Mbyllja totale eventuale po konsiderohet e rrezikshme për humbjen e vendeve të punës dhe falimentimin e bizneseve, duke e dërguar në këtë mënyrë vendin drejt kolapsit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, tha se nëse vihen në zbatim masat e mbylljes totale rrezikohet stabiliteti financiar i vendit në aspektin buxhetor.
“Mbyllja eventuale është me rrezik shumë të madh sepse deri tani kemi pasur rrezik për vendet e punës, poashtu edhe për mbylljen e bizneseve ndërsa tash futemi në atë fazën edhe të rrezikimit të stabilitetit financiar të vendit si në aspektin buxhetor dhe financiar dhe kjo e bënë të pashmangshëm ndonjë kolaps”, ka thënë Rukiqi për EO, transmeton Insajderi.
Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, theksoi se karantinimi i Prishtinës do të kthente vendin në një situatë të rënies së aktivitetit ekonomik, duke shtuar se rrezikon një pjesë të madhe të kompanive drejt falimentimit.
“Mbyllja eventuale do të na kthente në një situatë të rënies së aktivitetit ekonomik ose zvogëlim i aktivitetit të përgjithshëm që rrezikon një pjesë të madhe të kompanive drejt falimentimit përfundimtar dhe natyrisht zvogëlimi i aktivitetit ekonomik do të qojë në rënien e të hyrave të përgjithshme edhe buxhetore të vendit duke e zvogëluar aftësinë e mëtejme të shtetit që të merret me pandeminë edhe në aspektin e kujdesit shëndetësor por edhe në aspektin e përkrahjes së bizneseve”, ka thënë Zeka. /Insajderi.com