Oferta e Kosovës për investitorët e huaj: Haraç e grushte të Gani Thaçit

Përmendja e emrit të tij, tash e dy dekada, ndjellë frikë te biznesmenët. I frikësohen tejmase. Në  mendjet e afaristëve, Gani Thaçi simbolizon haraçin. Sot paska vendosur që dy prej tyre t’i grushtojë. Njëri prej tyre përfaqësues i një kompanie sllovene. Veprimet e tij, për vite më radhë, kanë ndikuar në frikësimin e investitorëve të huaj. Dikush duhet ta ndalojë Ganiun. Ai duhet të dënohet për veprimet e tij.

Oferta e Kosovës për investitorët e huaj: Haraç e grushte të Gani Thaçit

Është shfaqur sërish në skenë njeriu që e ka imazhin e frikshëm te biznesmenët.

Ai është Gani Thaçi, vëllai i presidentit Hashim Thaçi.

Për gati dy dekada të pasluftës, emri i tij i frikëson biznesmenët.

Ende është e freskët në mendjet e afaristëve një histori haraçi me Ganiun si krye protagonist. Kishte ndodhur në vitin 2000 dhe kishte nxitur kërshërinë edhe të mediave ndërkombëtare. Prej asaj dite, të gjithë pa dallim i janë frikësuar vëllait të madh të presidentit Hashim Thaçi.

Por, Ganiu është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes së mediave. Nuk dihet nëse gjatë ditës i ka kërkuar ryshfet dikujt, por është e konfirmuar që ka shpërndarë grushte ndaj dy vetave.

Ka rrahur dy zyrtarë të lartë Byrosë Kosovare të Sigurimeve. Blerim Pushkollin, drejtorin e kompanisë Byrosë Kosovare të Sigurimeve si dhe Gianni Sokoliç, kryetarin e bordit të BKS. Sokoliç mban edhe postin e drejtorit ekzekutiv të kompanisë sllovene të sigurimeve “Ilyria Insurance”

Nuk kam pritje naive që Gani Thaçi do të marrë dënimin e merituar për këtë incident. I gjithë aparati shtetëror do të mobilizohet për ta shpëtuar lëkurën e vëllait të presidentit.

Por, me një gjë askush nuk do të merret. Me dëmet që do të shkaktohen nga grushtet e Ganiut. Ky do të jetë mesazh i frikshëm për investitorët e huaj. Të rrahurit nga Ganiu janë njerëz të rëndësishëm. Në fakt, të dytë zyrtarisht janë epror të Gani Thaçit në BKS. Por, shef real është Ganiu. Është ai që vendos për gjithçka aty, pa e pyetur Pushkollin dhe Sokoliçin.

Sot paska vendosur edhe për t’i rrahur.

Njëri prej të rrahurve nga Ganiu është Blerim Pushkolli. Ai është drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, një institucion që përfaqëson të gjithë kompanitë e sigurimeve në Kosovë.  Tjetri, Gianni Sokoliç, është drejtor i kompanisë sllovene “Ilyria Insurance”, i cili në BKS ka rolin e kryesuesit të bordit.

Sokoliç ka nënshtetësi sllovene. Nuk është i vogël numri i kompanive sllovene që kanë investuar në Kosovë. Lajmi që njëri prej tyre është rrahur nga vëllai i presidentit të Kosovës nuk është inkurajues për kompanitë sllovene, të cilat synojnë të investojnë në Kosovës.

Është frikësues.

Ky mesazh frikësues do të shkaktoj dëme tjera për Kosovën. Gani Thaçi do të ndikoj sërish në rënien e investimeve të huaja. Për të keq, ai ka ndikuar tash e dy dekada. Prej vitit 2000, kur edhe ka ndodhur rasti i famshëm që do ta bënte Gani Thaçin një emër të frikshëm për biznesmenët. Prej asaj dite, ai mori epitetin e haraçexhiut.

Por, çfarë kishte ndodhur para tetëmbëdhjetë viteve?

Ishte muaji janar i vitit 2000. Apartamenti i Gani Thaçit në Prishtinë ishte bastisur nga policia e UNMIK-ut në lidhje me një incident me armë zjarri.

Policët ishin befasuar me diçka tjetër që ishte gjetur në apartamentin e tij. Nën një dyshek fëmijësh, policët kishin gjetur 250 mijë dollarë.

Gani Thaçi i kishte thënë policëve se këto para i kishte fituar me djersë. Kishte pohuar se i ishin dhënë nga një firmë kanadeze ndërtimi, e cila ishte quajtur “Meridian Resoruces”. Kishte pohuar se punon si ndërmjetës i kësaj kompanie.

Kjo histori ishte bërë pjesë e raportimeve në mediat botërore. “Kosova e mbërthyer nga reketi”, ishte titulli që BBC-ja i kishte vënë kësaj historie haraçi, në të cilën ishte përfshirë Gani Thaçi.

“Ganiu i tha policisë se paratë i ishin dhënë atij nga një firmë ndërtimi kanadeze që punon në Kosovë, Meridian Resources”, thuhet në artikullin “Kosova e mbërthyer nga reketi”, botuar në BBC në prill të vitit 2000.

Ky artikull i BBC-së tregonte se Shaun Going, drejtori i kompanisë kanadeze, thoshte se Ganiun e kishin paguar 60 mijë dollarë, e jo 250 mijë dollarë. Për 190 mijë dollarët tjerë asnjëherë nuk është dhënë sqarim nga Gani Thaçi. Është e kuptueshme që hetues e prokurorë nuk i kanë shkuar deri në fund kësaj lënde. Arsyet janë të ditura.

Të njohura për publikun janë edhe arsyet e sakta se pse kompania kanadeze e kishte angazhuar Ganiun.

BBC raportonte se Gani Thaçi e kishte ndihmuar kompaninë kanadeze për të bërë marrëveshje me disa kompani që ishin marrë nën kontroll nga administrata e Hashim Thaçit pas luftës.

Shefi i kompanisë kanadeze i  kishte deklaruar BBC-së se në Kosovë është vështirë të bëhet biznes, pa u marrë me ish-anëtarët e UÇK’së.

“Nuk ka dyshim se njerëzit e ish-UÇK-së janë të pozicionuar mirë në biznes kështu që nuk ka mënyrë për të bërë biznes në këtë vend pa ta ose pa kaluar kah ata në baza ditore”, thotë ai, në artikullin e BBC-së.

Kjo jehonë e Gani Thaçit në mediat botërore kishte dëmtuar shumë Kosovën. Numri i investitorëve të huaj që kanë ardhur në Kosovë kurrë nuk ka qenë i kënaqshëm. Frikën kryesore e kanë pasur haraçin që i kërkohet nga njerëzit e fuqishëm të parapolitikës në Kosovë.

Mirëpo, ky fakt nuk ka qenë asnjëherë shqetësues për Ganiun dhe vëllain e tij politikan, Hashim Thaçin. Që të dy kanë mbajtur pozita të larta. Derisa Hashimi ka përzgjedhur postet politike, Ganiu i ka synuar ato biznesore. Ka përzgjedhur Byronë Kosovare të Sigurimeve. E ka shkatërruar këtë organizatë.

Kam raportuar dhjetëra herë për keqpërdorimet e Gani Thaçit në Byronë Kosovare të Sigurimeve. Ato nisin nga keqpërdorimet milionëshe financiare e deri tek emërimi i të dashurës së djalit të Gani Thaçit, në njërën prej pozitave më të rëndësishme në Byronë e Sigurimeve. Atë të drejtoreshës së departamentit të Kartonit të Gjelbërt. Ky departament është përgjegjës për faktin që qytetarët paguajnë miliona euro në muaj për kompanitë e sigurimeve. Për një arsye të thjeshtë:  Ky departament dhe komplet BKS-ja nuk bëjnë përpjekje që Kosova të anëtarësohet në organizatën e Kartonit të Gjelbërt, byronë evropiane të sigurimeve.

Këto janë artikujt që ka publikuar Insajderi lidhur me keqpërdorimet e Gani Thaçit në Byronë Kosovare të Sigurimeve:

Kartoni i Gjelbërt- Emërohet drejtoreshë e dashura e djalit të Gani Thaçit

E dashura e djalit të Gani Thaçit jep dorëheqje pas raportimit të Insajderit

Milionat e Kartonit të Gjelbër- Familja Thaçi rrit fuqinë brenda Byrosë së Sigurimeve

Vëllau i presidentit Thaçi sulmon fizikisht drejtorin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve