OJQ-të: Një vit nga dhunimi seksual dhe vrasja makabre e fëmijës nga Fushë Kosova, ende asnjë përgjegjësi

OJQ-të: Një vit nga dhunimi seksual dhe vrasja makabre e fëmijës nga Fushë Kosova, ende asnjë përgjegjësi

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka reaguar në një vjetorin e vrasjes së një fëmijë nëntë vjeçar nga Fushë Kosova, i cili ishte abuzuar edhe seksualisht, njofton Insajderi.

Koalicioni i OJQ-ve kërkon llogari dhe përgjegjësi nga zinxhiri i institucioneve të Kosovës të cilat do të duhej ta mbronin K.V., por nuk e bën një gjë të tillë.

“Sot bëhet një vit nga vrasja makabre e fëmijës 9 vjeçar nga Komuna e Fushë Kosovës, i cili sipas raportit të autopsisë ishte dhunuar edhe seksualisht. Sot bëhet një vit, dhe ende asnjë nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e jetës së fëmijës nuk kanë dhënë përgjegjësi dhe llogaridhënie për dështimin në përmbushjen e mandatit institucional për mbrojtjen e jetës së tij”, thuhet në reagimin e OJQ-ve.

“Të gjitha të dhënat tregojnë që përkundër faktik se fëmija ka qenë ‘në dorë të institucioneve të shtetit’, aty ku fëmija do të duhej të ishte i sigurt dhe i mbrojtur, këto institucione dështuan ta mbrojnë jetën e tij”.

Për KOMF, mbeten skandaloze veprimet dhe shkeljet e prokurorisë lidhur me këtë rast.

Prokurorët e rastit nuk kanë propozuar masën e paraburgimit, e cila përveçse do të pamundësonte ushtrimin e vazhdueshëm të abuzimit ndaj fëmijës do të ndihmonte në zbardhjen e rastit dhe mbi të gjitha do të shmangte vdekjen e fëmijës.

Prokurori nuk ka kërkuar as ekzaminimin mjeko-ligjor. Për më tepër, përkundër faktit që në prill 2019 i dyshuari e ka pranuar veprën penale për dhunim të fëmijës K.V., ai është liruar në procedurë të rregullt nga prokurori, gjë e cila çoi në vrasjen makabre të fëmijës.

 

“Si Koalicion jemi të shokuar për faktin që ende nuk ka asnjë llogaridhënie dhe përgjegjësi për rastin në fjalë nga organet e mbrojtjes, rendit dhe drejtësisë. Trajtimi i këtij rasti nga shteti dhe institucionet, për KOMF mbetet i patolerueshëm dhe skandaloz”./Insajderi.com