Oligarku i PDK-së nga Prizreni që po e mposht Haskukën

Afërsia e tij me Thaçin, Enver Hoxhajn e PDK-në, përfitimet nga pushteti dhe dyshimet për shantazhim të punëtorëve të tij për vota

Oligarku i PDK-së nga Prizreni që po e mposht Haskukën

Irfan Fusha ka përfituar shumëçka gjatë jetës së tij. Ka shënuar rritje të shpejt të biznesit të tij, gjatë kohës që pushtetin në Prizren e ka pasur Partia Demokratike e Kosovës.

Ka qenë më i fuqishëm se sa vetë ish-kryetari i Prizrenit nga PDK-ja, Ramadan Muja. Ai nuk ka qenë kurrë njeri i afërt i kryetarit të Prizrenit. Ishte e kundërta. Muja ishte një prej qindra argatëve të thjeshtë i tij. Grupit të argatëve të thjeshtë i përkiste edhe Nijazi Kryeziu, i cili është bërë i famshëm për veprime abuzive me pushtetin.

Por, jeta nuk sjell vetëm fitore. Ka edhe intriga. Irfan Fusha ka shënuar vetëm një humbje të madhe. Kishte ndodhur më 2014. Nuk kishte arritur të fitonte simpatinë e prizrenasve, ngjashëm siç e kishte të fituar atëkohë të kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit dhe të politikanit Enver Hoxhaj, përgjegjës joformal i PDK-së për Prizrenin.

Fusha kishte punuar shumë që të mos e shënonte këtë debakël. Kishte shkuar deri aty sa ishte bërë horë nga kundërshtarët e tij politik.

“Ditëve të fundit jemi dëshmitarë edhe të manipulimeve dhe shantazhimeve që pronari i ABI Center, Irfan Fusha ka kërkuar nga të gjithë punëtorët që të votojnë për atë dhe kandidatët e PDK. Fusha njëkohësisht u ka kërkuar atyre edhe letërnjoftimet e anëtarëve të familjes me të drejtë vote dhe ka bërë regjistrimin e numrit të votave të cilat ata do t`i dëshmojnë me anë të fotografimit. Nëse nuk votojnë atëherë janë kërcënuar me largim nga puna”, ishte akuza e degës së LDK-së në Prizren, e bërë gjatë një konference për media.

Megjithatë, numri i punëtorëve të tij nuk ishte i mjaftueshëm për ta bërë atë deputet. Oligarku Fusha e përbiu disi atë humbje.

Vazhdoi me sukseset e tij biznesore. Ngriti një perandori biznesi. Ka ndërtuar një prej bizneseve më të mëdha në Prizren, ABI Çarshinë. Mirëpo, kjo qendër e vizituar nga miku i tij Hashim Thaçi si dhe e bërë përhajer me fjalime e prerje shiriti nga Kadri Veseli e Enver Hoxhaj, i ka sjellë një telashe të re. Të madhe madje.

Pesë vite pas humbjes së madhe më 2014, ai është në prag të një humbje të re.

Nuk po e përbinë asesi. Deri më tash rezultati në terren është në favor të tij. Mirëpo, oligarku nga Prizreni ka shënuar një fitore që i bënë më shumë dëme se sa të mira.

Ka arritur ta mposhtë kryetarin e ri të Prizrenit, Mytaher Haskukën, i cili po kërkon me ngulm rrëzimin e një pjesë të “Abi Çarshia”, të ndërtuar kundërligshëm.

Kjo betejë mes tyre në publik po shndërrohet më shumë në politike se sa ligjore. Gabime ka nga të dy palët. Nga Haskuka që lejon militantët e VV-së të brohorasin në oborrin e një biznesi privat si dhe nga Fusha që i detyron zyrtarët shtetëtëror, të Policisë e Prokurorisë, që të brohorasin kundër inspektorëve komunal të Prizrenit.

Drama e madhe që ndodhi në Prizren nuk zgjati shumë. Tri ditë. Mirëpo, zhvillimet që  ndodhën në tri ditët dramatike në Prizren ishin tejet të çuditshme. Më 19 korrik inspektorët e Komunës së Prizrenit nisën rrënimin e objektit të ndërtuar kundërligjshëm, sipas tyre. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës i asistonin inspektorët e Prizrenit.

Duke besuar se ngjashëm do të ndodhte edhe nesër e pasnesër. E shtuna ishte qetësi para stuhisë. Inspektorët shkuan me të njëjtin vetëbesim edhe të dielën. Gjendja faktike kishte ndryshuar. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kishin ndërruar anë. Kishin kaluar në anën e oligarkut Irfan Fusha.

E përzunë nga oborri i ABI Çarshisë Islam Thaqin, kryeinspektorin e Prizrenit. I thanë se dikush më i lartë se ta kishte urdhëruar Policinë për ta bërë veprimin e kundërt me të premtën, nga pro inspektorëve në përzerje të tyre.

Një konferencë shtypi e mbajti kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala. Bëri përpjekje titanike për të arsyetuar këtë ndryshim të shpejt të anës së Policisë. Nuk dihet se çfarë kishte ndodhur gjatë tërë ditës së shtune. Nuk do të dihet se çka e bindi Policinë e Prokurorinë që të ndërrojnë anë vetëm brenda një dite. Brenda së shtunën së famshme të 20 korrikut. Askush nuk do ta tregojë këtë.

Nuk besoj se ka ndikuar oratoria e Irfan Fushës. Ai nuk shquhet si orator.

Megjithatë, ai ka arritur një fitore të madhe. Ka zmbrapsur Komunën e Prizrenit.

Por, derisa kur kishte humbur zgjedhjet e vitit 2014 ishte bërë horë i vetëm, kjo betejë po shënon më shumë viktima. Ai ka arritur ta bëjë horë vetën, Policinë si dhe Prokurorinë e Prizrenit.

Nuk dihet ende se si do të vijë fundi kësaj historie. Kësaj beteje që më shumë se sa ligjore po shndërrohet në politike. Në njërën anë është Haskuka, i cili po fton aktivistët e VV-në oborrin e ABI Çarshia. Në tjetrën është Irfan Fusha, i cili po përdorë tërë aparartin shtetëror për të trimfuar kundër kryetarit të VV-së, për të realizuar dy qëllime:

  1. Për të ruajtur profitin e tij si biznesmen
  2. Për të ruajtur imazhin e oligarkut të fuqishëm që ka mik të afërt Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Enver Hoxhajn.