fbpx

Olluri: A do të japë dorëheqje Avni Zogiani pas aderimit të Haki Abazit?

Olluri: A do të japë dorëheqje Avni Zogiani pas aderimit të Haki Abazit?

Drejtori ekzekutiv i Insajderit, Parim Olluri, ka pyetur dy zyrtarët e lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi dhe Albulena Haxhiu, nëse aderimi i Haki Abazit në këtë parti mund të paraqesë problem për anëtarin e LVV-së, Avni Zogianin.

Olluri, në një debat televiziv në RTV Dukagjini, ka thënë se i sapoanëtarësuari në Vetëvendosje, Haki Abazi dhe ish-kandidati për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe anëtari aktual i kësaj partie, kanë pasur një problem me njëri-tjetrin para disa vitesh.

“Sa i përket aderimit të z.Haki Abazi e kam një pyetje edhe për z. Bislimi, edhe për znj. Haxhiu. Para disa vitesh ka qenë një rast i famshëm në publik: Avni Zogiani, që tash është në VV, ka ngritur një kallëzim penal ndaj Haki Abazit, me arsyen se në mënyrë të kundërligjshme paratë e Rockefellers Brothers, ku ka punuar Haki Abazi, i ka transferuar në mënyrë të kundërligjshme në partinë FER”, ka treguar drejtori i Insajderit.

“Tash a duhet të dalë nga partia njëri prej tyre?”, ka pyetur Olluri.

Por, anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se të dy anëtarët do të mbesin pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe se asnjëri, sipas saj, nuk do të largohet nga partia. /Insajderi.com