Drejtori ekzekutiv i Insajderit, Parim Olluri, ia ka kujtuar një borxh ndaj shtetit, deputetit të NISMA-s Zafir Berisha, i cili në emisionin Debat D+ në TV Dukagjini, ka folur për atë sesi do të jetë qeverisja e Qeverisë Haradinaj.
Berisha i cili gjatë gjithë emisionit ka thënë se Qeveria e drejtuar nga koalicioni PDK-AAK-NISMA me kryeministër Ramush Haradinajn do të jetë një nga Qeveritë më të mira dhe më aktive duke luftuar parregullsitë dhe shkeljet ligjore në vend, është kritikuar nga Olluri për faktin se ai vet si deputet nuk është qytetar i ndershëm në raport me shtetin.
“Paguaje tatimin në pronë, e pastaj fol për qeverisjen dhe për atë sesi duhet luftuar krimi”, ka thënë Olluri.
Berisha, i zgjedhur përsëri deputet i Kuvendit të Kosovës nuk e ka paguar tatimin në pronë në një kosto prej 4 mijë eurosh.
Berisha ka thënë se do ta paguaj këtë borxh.
“Kur ti bëjë paratë”, ka thënë Berisha i cili ka refuzuar ta quaj si ikje nga taksat veprimin e tij.
E Olluri këtë e ka quajtur një vjedhje.
“Kjo është një vjedhje sepse i ke ikur tatimit”, ka thënë Olluri./Insajderi.com