Olluri: Deputeti Shkumbin Demaliaj duhet të arrestohet

Olluri: Deputeti Shkumbin Demaliaj duhet të arrestohet

Drejtori ekzekutiv i Gazetës Online Insajderi, Parim Olluri ka thënë sot se deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, duhet të arrestohet për shkak të kërcënimit të prokurorit të dorëhequr të Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj.

Në një debat televiziv nndaj Gazmend Halilajt, avokatit të deputetit të akuzuar për mashtrim Milaim Zekës, Olluri u shpreh se Prokuroria e Shtetit duhet të lëshojë fletarrest për deputetin e AAK-së për kryerjen e veprës penale të kanosjes.

“Ngjashëm si Milaim Zeka duhet të arrestohet edhe deputeti Shkumbin Demaliaj. Për veprën e njëjtë penale, të kanosjes”, ka thënë Olluri në emisionin Frontal me Arsim Lanin në T7, teksa ka pohuar se askush nuk mund t’i mbrojë dy deputetë që i kanë linçuar prokurorët special të Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i Insajderit po ashtu ka thënë se arrestimet e Zekës dhe Demalijajt i kontribuojnë dy deputetëve për t’u vetëdijësuar.

“Arrestimi i të dyve kontribuon në edukimin e tyre. I frikëson. Nuk guxojnë më që të përdorin fjalor rrugaçësh në studio televizive e në foltoren e parlamentit”, u shpreh Olluri.

Demaliaj, në një intervistë për televizion publik më 16 shtator, kërcënoi publikisht Elez Blakajn, ish-prokurorin special që përpiloi një aktakuzë kundër tij dhe 11 anëtarëve të tjerë të Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Veteranëve.

Deputeti i AAK-së tha se do ta ndjek privatisht Blakajn nëse institucionet e drejtësisë nuk e ndjekin atë penalisht, për siç ka thënë ai, degradimin e veteranëve të UÇK-së.

“Nëse shteti nuk bën kërkesë që ai (Blakaj) të kthehet në atdhe për t’u gjykuar për shantazhin që i ka bërë opinionit, prokurorisë, nga unë do të ndiqet dikur privatisht, nëse shteti nuk merr masa për ta ndjekur”, kishte thënë Demaliaj.

Ndërkaq, deputeti Milaim Zeka, i cili kërcënoi publikisht të hënën prokurorin special Afrim Shefkiu, u arrestua dy ditë më pas nga Policia e Kosovës. Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar që ndaj Zekës të vendoset masa e paraburgimit prej 30 ditësh. /Insajderi.com

Lexo edhe:

Olluri – avokatit të Zekës: Ai ka probleme personale me të gjithë që raportojnë për keqpërdorimet e tij