Olluri: Xhamia në Prishtinë duhet të ndërtohet me para tona, jo me të Erdoganit

Olluri: Xhamia në Prishtinë duhet të ndërtohet me para tona, jo me të Erdoganit

Drejtori ekzekutiv i Gazetës Online Insajderi, Parim Olluri, ka insistuar që xhamia në qendër të Prishtinës duhet të ndërtohet me para nga qytetarët e Kosovës dhe jo me para me prejardhje nga Turqia.

Ai fillimisht ka thënë se kryetari i BIK-ut, Naim Tërnave në kohë zgjedhje brenda këtij institucioni ka iniciuar ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë, ndërsa nuk dëshiron të deklarohet për skandalet në medresenë “Alaudin”.

Ka thënë se personalisht përkrah më shumë ndërtimin e një xhamie me fonde të qytetarëve të Kosovës se sa me fonde të shtetit të Turqisë.

“Tash po vijmë në një situatë mos t’i flasim në publik se është kohë zgjedhje, në të njëjtën kohë, Naim Tërnava në kohë të fushatës zgjedhore, njofton për ndërtimin e xhamisë në Prishtinë me fondet turke dhe bënë fushatë me të”.

“Ai nuk po i pyet qytetarët se a duan ta ndërtojnë një xhami me fonde nga Turqia apo me fonde të tyre. Për mua personalisht xhamia e kosovarëve dhe myslimanëve shqiptarë të  ndërtohen me fonde tona”, ka deklaruar ai në Frontal në T7.

Olluri me tej ka deklaruar se qytetarët dhe një numër i biznesmenëve mund të kontribuojnë për ndërtimin e xhamisë në Prishtinë, pa pasur nevojë fare për fondet e shtetit turk.

“Ne kemi një grup të madh të biznesmenëve që munden me kontribuar për ndërtimin e xhamisë në Prishtinë. Ne nuk jemi duke i ndërtuar Turqisë xhami, përse do të duhet që një shtet tjetër të ndërtojë xhami në vendin tonë”.

“Përse duhet që Erdogani politikisht me na i dhënë një dhuratë në kohë fushate dhe me i treguar botës për afërsinë mes Kosovës dhe Turqisë”, ka deklaruar Olluri.

Ish-medresanti, tani imami Bedri Bytyqi gjatë emisionit debatues ka deklaruar se pretendimet e teologu Emin Behrami nuk mund të konsiderohen si të mirëqena pa u vërtetuar nga gjykatat vendore në Kosovë.

“Ka medresantë verbërisht që munden me thanë se nuk ka ndodhë asgjë, ka medresantë që edhe mund ta pranojnë një gjë të tillë”.

Teologou kosovar, Emin Behrami dje në një emision televiziv ka folur dje për një skandal që sipas tij e kishte përfshirë Madresenë “Alaudin”.

Behrami ka thënë se fillimisht kishte qenë myftiu Naim Tërnava që kishte akuzuar të gjithë profesorët për sjellje të pa hijshme ndaj nxënësve të kësaj medreseje.

Behrami ka thënë e në këtë skandal janë të përfshirë dhëndri i myftiut Naim Tërnava, Bahri Simnica, dhe Shemsi Rrahimi i cili ishte edhe kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame.

Ndaj këtyre akuzave, ka reaguar Medreseja “Alauadin”. Medreseja i ka quajtur këto shpifje e gënjeshtra, ndërsa garanton në punë të pastërt e të ndershme.