Olluri-Molliqajt: Si e ka blerë Rexhep Selimi në vitin 1999 banesën 120 mijë euro

Olluri-Molliqajt: Si e ka blerë Rexhep Selimi në vitin 1999 banesën 120 mijë euro

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, është gjendur në një situatë të vështirë kur është pyetur për uzurpimet dhe privatizimet që kanë kryer familjarët e anëtarit të kësaj partie, Rexhep Selimit, njëherësh kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 qershorit.

Në Debat Plus në RTV Dukagjini, të udhëhequr nga Ermal Panduri, drejtori ekzekutiv i Insajderit, Parim Olluri ka përmendur banesat e shtrenjta të Rexhep Selimit, dhe uzurpimet e privatizimet që familjarët e tij kanë kryer.

“A ia ka bërë Rexhep Selimit pyetje dikush brenda Vetëvendosjes: Qysh ndodhi që në vitin 1999 të blejë 120 mijë euro banesë në Prishtinë?”, ka pyetur Olluri, Molliqajn.

“Qysh ndodhi që vëllai i tij, Islam Selimi, të uzurpojë për 15 vjet në qendër të Prishtinës, te rrethi, një ndërmarrje shoqërore, e cila nuk ka pasur as llogari bankare, por paratë nga qiraxhinjtë i ka futur në xhep. Nuk i ka raportuar kurrë agjencisë së privatizimit”, ka pyetur Olluri.

Kurse, sekretari i VV’së, Molliqaj, është munduar ta japë një sqarim lidhur me çështjet që ka ngritur Olluri.

Molliqaj ka thënë se Selimi ka dhënë sqarime për këto punë në një konferencë për media.

“Rexha i ka sqaruar tërë këto çështje në një konferencë për media. Ka treguar se si janë krijuar këto pasuri dhe banesat”, ka thënë ai./Insajderi.com