Operacioni “Stuhia”, arrestohen shtatë persona për kontrabandim me armë

Operacioni “Stuhia”, arrestohen shtatë persona për kontrabandim me armë

Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Themelore të Ferizajt, janë deklaruar rreth aksionit të sotëm policor, i cili rezultoi me shtatë persona të arrestuar, njofton Insajderi.

Në një konferencë për media të mbajtur në orën 14:30, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha se bastisjet janë zhvilluar në disa lokacione të vendit.

Ky operacion i cili u quajt “Stuhia”, përveç Ferizajt, u aplikua edhe në Gjilan, Prishtinë, Lipjan, Shtërpcë, ku edhe u arrestuan këta persona për kontrabandim me armë.

“Kemi aplikuar masa të fshehta të hetimit për disa persona konkretë, masat kanë nisur nga muaji nëntor i vitit 2020. Pas përfundimit të zgjerimit të hetimeve, dje kemi bë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për të na lëshuar urdhëresë për bastisjen e disa lokacioneve. Njësia Rajonale e Hetimeve kanë aplikuar këtë operacion të quajtur “Stuhia”, në Ferizaj, Gjilan, Prishtinë Lipjan, Shtërpcë, dhe ka arrestuar disa persona për kontrabandim me armë. Bëhet fjalë për shtatë persona të arrestuar”, ka thënë ai.

Ndërkaq Arbnesh Ajvazi, drejtor për Siguri Publike në Policinë e Kosovës tha se në këtë aksion janë konfiskuar granata, armë të gjata dhe pesë arka të mëdha me fishekë. /Insajderi.com