Thirrjen e kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ndaj partive opozitare për të kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës, e ka marrë me rezervë Partia Demokratike e Kosovës.
Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu për Shqip.com, ka deklaruar se janë të hapur për të bashkëpunuar me partitë jashtë-parlamentare, por që, nuk zmbrapsen nga veprimet e partisë.
“Ne e ruajmë vlerësimin parimor edhe për partitët jashtë-parlamentare, por besojmë se veprimet tona janë ato që duhen ndjekur. Andaj, ne jemi të bindur se obligimi ynë është që përmes veprimeve tona të ndikojmë në anulimin e vendimit për rritje të cmimit të energjisë, përtej tendencave për protagonizma personalë”, thekson Abdullahu.
Ndërsa, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar për Shqip.com se për ftesën e Molliqajt, ende nuk kanë diskutuar në parti.
Po ashtu edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se ende nuk është vënë në diskutim bashkëpunimi me PSD-në, ndërsa theksojnë se janë në shqyrtim të mundësive për ta kundërshtuar këtë vendim.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, pas vendimit të ZRrE-së, u ka dërguar ftesë publike të gjitha partive opozitare dhe shoqërisë civile për të diskutuar rreth hapave të mëtejshëm në kundërshtimin e vendimit të rritjes së çmimit të rrymës.
Molliqaj ka shkruar se bashkërisht do të vendosin për mënyrën e kundërshtimit.
“Nga nesër do t’i ftojmë në një takim për të premten të gjitha partitë parlamentare e joparlamentare opozitare, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të sindikatave të ndryshme dhe të gjithë ata persona publik e jopublik që janë të interesuar që bashkërisht ta kundërshtojnë vendimin e rritjes së çmimit të rrymës. Bashkërisht, do të vendosim për hapat dhe mënyrën e kundërshtimit”, ka shkruar Molliqaj në ftesën e tij publike.
Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike ka miratuar më 8 janar tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët.
Ata të cilët shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kilovatë orë në muaj nuk do të preken nga shtrenjtimi i energjisë elektrike. Kurse, ata që konsumojnë mbi 800kËh është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent.
Ky vendim hyn në fuqi nga 9 janari dhe zgjat deri më 2023./Insajderi.com