Opozita kërkon lirimin e anëtarëve të arrestuar të Vetëvendosjes

Opozita kërkon lirimin e anëtarëve të arrestuar të Vetëvendosjes

Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë reaguar sot pas arrestimeve të fundit të policisë së Kosovës ndaj anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Përmes një komunikate për media, Vetëvendosje i ka quajtur Kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendësin e tij, Hashim Thaçi, si frikacakë që po ndjekin aktivistët e kësaj partie para protestës së nesërme.

“Kjo qeveri po i numëron ditët e saja të fundit në pushtet. Dhe secilën prej këtyre ditëve po e vendos në funksion të projektit kriminal të Vuçiqit, ‘Zajednicës’. Kushdo që e kundërshton Serbinë në Kosovë po arrestohet,” thuhet në një reagim të VV-së.

Sot në orët e hershme të mëngjesit është arrestuar shefi i grupit parlamentar të këtij subjekti, Glauk Konjufca dhe aktivistin Kasim Uka.  Në ndërkohë, mbrëmë policia ka arrestuar edhe zëdhënësin Frashër Krasniqi.

Arrestimi tyre është bërë në lidhje me demolimin e disa veturave të EULEX-it në vitin 2009 dhe vjen vetëm një ditë para mbajtjes së protestës së thirrur nga tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Për rastin e vitit 2009 janë të akuzuar 24 persona, përfshirë edhe Sekretarin e Vetëvendosjes Dardan Molliqaj.

Vetëvendosje ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre dhe ndaljen e menjëhershme të përndjekjes ndaj aktivistëve të Lëvizjes.

Në anën tjetër, AAK thotë se këto arrestimet që bëhen vetëm një ditë para protestës nuk mund të jenë të rastësishme.

“AAK, vlerëson se operacioni i arrestimeve pikërisht sot, është një ndërmarrje e kalkuluar, në mënyrë që të reflektojë keq dhe të nxisë dhunë në protestën e nesërme,” thuhet në komunikatën e lëshuar nga kjo parti.

Më 17 shkurt në Prishtinë, tri partitë opozitare –Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën – kanë thirrur një protestë, që sipas tyre do të jetë më masivja që nga paslufta.

Partitë opozitare janë zotuar se protesta e së mërkurës do të jetë goditja përfundimtare ndaj Qeverisë së Kosovës./Insajderi.com