Opozita kërkon që mbledhja me Bordin e ZRRE-së në Komisionin për Ekonomi të jetë e hapur për publikun

Opozita kërkon që mbledhja me Bordin e ZRRE-së në Komisionin për Ekonomi të jetë e hapur për publikun

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti do të diskutojë me Bordin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, pas Aktvendimit të Gjykatës së Apelit për tarifat e energjisë elektrike.

Kjo mbledhje, siç ka thënë për SHQIP.com anëtarja e Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila do të mbahet e mbyllur me kërkesë të ZRRE-së.

Kundër kësaj kërkese kanë dalë anëtarët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK.

Kështu ka thënë për SHQIP.com, Pal Lekaj, anëtar i këtij Komisioni.

“ Do të insistojmë që kjo mbledhje të jetë e hapur për publikun”  u shpreh ai.

Ndërsa, shton se mbledhja duhet të jetë transparente dhe jo e mbyllur, kjo pasi vlerëson se “qytetarët duhet të dijnë qëndrimin e Bordit të ZRRE-së rreth aktvendimit të Gjykatës së Apelit për tarifat e energjisë elektrike”.

Theksojmë se më 18 maj Gjykata e Apelit nxjerri një vendim duke e konsideruar si të duhur vendimin e Gjykatës së Prishtinës i cili e kishte pezulluar shtrenjtimin e rrymës deri në nxjerrjen e një vendimi meritor.

Sipas njoftimit, ZRRE më datën 18 maj 2022, ka pranuar nga Gjykata e Apelit Aktvendimin me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRrE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike.

“ZRRE më datë 18 maj 2022, ka pranuar nga Gjykata e Apelit Aktvendimin AA.nr. 364/2022 me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRRE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike, të aprovuar nga ZRRE, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me padinë e paditëses”, njofton ZRRE.

Faturat e energjisë elektrike.

Tarifat e reja të energjisë kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës./Insajderi.com