Opozita lëshon seancën, Bogujevci kërkon pauzë 15-minutëshe

Opozita lëshon seancën, Bogujevci kërkon pauzë 15-minutëshe

Partitë opozitare të Kosovës kanë lëshuar seancën plenare që filloi sot pas orës 10:00, njofton Insajderi.

Kjo ndodhi pas fjalimit të mbajtur të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e më pas edhe replikave ndaj akuzave të saj se Partia Demokratike e Kosovës është parti e korruptuar dhe se derisa ajo ishte në qeverisje, është formuar Gjykata Speciale, duke thënë se “kjo gjykatë nuk ka rënë prej qielli”.

Pas fjalimit 10-minutësh të ministres Gërvalla, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, iu ka drejtuar nënkryetares së Kuvendit e cila po e drejton seancën, Saranda Bogujevci, duke thënë se nuk është në rregulloren e Kuvendit që ministrat të lejohen të flasin 10 minuta, ndërsa deputetët të replikojnë për vetëm dy minuta.

Sipas tij, nënkryetarja Bogujevci ka dështuar ta menaxhojë këtë situatë dhe për këtë arsye ata largohen nga salla e Kuvendit.

“Ti s’je ajo që na tregon çka me folë. Ne do ta lëshojmë sallën dhe kërkojmë të mblidhet Kryesia sa më shpejt të jetë e mundur që të mos i udhëheqësh mbledhjet e Kuvendit më. Paditura juaj e krijoi një situatë shumë të pakëndshme”, ka thënë Tahiri.

Pas rrëmujës së shkaktuar në Kuvend, Bogujevci ka kërkuar 15 minuta pauzë në mënyrë që deputetët të kthehen në vendet e tyre. /Insajderi.com