Kryetari i lëvizjes politike-nacionaliste “Oslobodjenje” (Çlirimi) në Serbi, Mlagjan Gjorgjeviq, e ka vlerësuar si “skandaloze” deklarimin e Listës Serbe e cila ka thënë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me numrin e posteve ministrore që u takojnë në qeverinë e re të Albin Kurtit, njofton Insajderi.
Ai ka thënë se “Lista Serbe, Aleksandar Vuçiqi, Nikola Selakoviqi dhe gjithë të tjerët që flasin për ankesën duket se pranojnë drejtpërdrejt juridiksionin e së ashtuquajturës Gjykatë Kushtetuese e shtetit të rremë të Kosovës”.
“Është turp që e gjithë politika shtetërore rreth Kosovës dhe Metohisë u reduktua në kërkesën ndaj Kurtit për t’i dhënë një tjetër portofol Listës Serbe, për të rehatuar një zyrtar tjetër lokal të Listës Serbe, domethënë Partisë Progresive Serbe”, deklaroi Gjorgjeviqi, siç raportohet nga “Oslobodjenje”.
Ai shtoi se deri në vitin 2012, “politika shtetërore ndaj Kosovës dhe Metohisë nënkuptonte praninë aktive të Republikës së Serbisë në të gjitha hapësirat me shumicë serbe, ku ekzistonte i gjithë sistemi shtetëror, nga gjyqësori dhe shërbimet e sigurisë deri te furnizimi me energji elektrike”.
“Në nëntë vitet e fundit, të gjitha ato kompetenca janë transferuar në Prishtinë, dhe tani po diskutohet numri i vendeve në të ashtuquajturën qeveri të Kosovës. Lista Serbe, si një mbesë, nuk do të votojë për qeverinë e Kurtit, kurse ata pranuan një pozicion të ofruar pa ndonjë problem, siç u ulën pa probleme në qeveritë e Haradinajt, Thaçit dhe kriminelëve tjerë të luftës”, tha udhëheqësi i lëvizjes “Oslobodjenje”.
Lista Serbe, në kabinetin e ri qeveritar “Kurti 2”, ka vetëm një post ministror. Kreu i kësaj liste, Goran Rakiq, ka thënë se kësaj partie i takojnë dy poste ministrore, dhe se për këtë do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese./Insajderi.com