Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nëpërmjet një letre të dërguar homologut të tij kosovar Hashim Thaçi, ka kërkuar që liderët politikë në vend të jenë me një zë sa i p" />

Opozita nuk i bindet Trumpit për dialogun

Opozita nuk i bindet Trumpit për dialogun

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nëpërmjet një letre të dërguar homologut të tij kosovar Hashim Thaçi, ka kërkuar që liderët politikë në vend të jenë me një zë sa i përket procesit të dialogut Kosovë – Serbi. Por, dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja dhe LVV-ja, nuk pritet t’i bashkohen këtij procesi.

Pavarësisht se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërkuar që liderët politikë në Kosovë të jenë me një zë sa i përket procesit të dialogut Kosovë – Serbi, dy partitë opozitare, LDK-ja e LVV-ja, nuk pritet t’i bashkohen këtij procesi. Përderisa përfaqësuesit e LDK-së kanë konsideruar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ata të LVV-së kanë thënë se para se të vazhdohet me fazën finale të dialogut fillimisht duhet të bëhet një vlerësim i tërë procesit, prej fillimit deri më tani, shkruan Zëri.

Në anën tjetër, teksa ka folur rreth letrës që ka pranuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur optimist se lidershipi i Kosovës do të reflektojë sa i përket çështjes së dialogut. Sipas tij, letra e Trumpit dëshmon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbështetje unike ndaj Kosovës. Ndërkohë, përfaqësuesit e dy partive opozitare që nuk po pranojnë të bëhen pjesë e dialogut kanë thënë se në letrën e presidentit amerikan nuk kërkohet askund që kryetari Hashim Thaçi të jetë ai që udhëheq procesin e bisedimeve me Serbinë.