Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut kundër Zyberit për avokat të popullit

Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut kundër Zyberit për avokat të popullit

Pasi që tashmë është bërë zyrtare që kandidat për Avokat të Popullit në Maqedoninë e Veriut është kandidati për kryeministër i BDI-së, Naser Zyberi, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa i ka bërë  thirrje shumicës parlamentare LSDM-BDI që ta anulojë konkursin dhe të shpallë konkurs tjetër, ngase kadidati Zyberi nuk e përmbush kushtin elementar e themelor për të qenë Avokat i Popullit.

Sipas dy partive shqiptare ligji mbi Avokatin e Popullit në Nenin 3 thotë se  Avokati i Popullit është i pavarur (i pa ndikuar) në ushtrimin e detyrës.“Siç e di i gjithë opinioni, z. Naser Zyberi para 5 muajsh ishte kandidat i BDI-së për kryeministër, pra një figurë krejt politike, andaj si i tillë në këtë mënyrë atij i pamundësohet ta ushtrojë një detyrë që për nga natyra është jopolitike dhe me neutralitet të theksuar jopolitik.

Nuk mjafton një deklaratë e kandidatit se nuk është anëtar partie, që të konkludohet paanësia e tij politike, kur të gjithë ne e dimë se ai është figurë shumë e fuqishme politike, njofton Insajderi.

Përveç dëmit që i shkaktohet kështu skenës politike në marrëdhëniet e ndërsjella mes aktorëve politikë, është degradim i thellë i institucionit të Avokatit të Popullit, madje – sipas nesh – nëse ndodhë të bëhet kjo zgjedhje, ky do të jetë një minus i madh në procesin euro-integrues të vendit.

Në BE është e pakonceptueshme që dikush që dje ka qenë kandidat politik, pas dy-tre muajsh të pretendojë një funksion kaq jopolitik, siç është Avokati i Popullit.

Në këtë mënyrë Maqedonia e Veriut i vë një njollë të rëndë drejtësisë në vendin tonë dhe e devalvon skajshëm rolin e ombudsmanit.Nisur nga kjo, mënyra më e mirë që të shpëtohet fytyra jonë para partnerëve europianë është që të anulohet konkursi dhe të shpallet një konkurs tjetër me kritere të rrepta për figura që nuk kanë bagazh politik së paku në 8 vitet e fundit”, thuhet në reagimin e partive opozitare shqiptare në RVM. /Insajderi.com