Koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit shqiptar opozitar në Maqedoninë e Veriut Aleanca për Shqiptarët-Alternativa, Zejd Rexhepi, tha se pushteti po mundohet që ta njollosë opozitën shqiptare për bllokimin të gjitha ligjeve, përfshirë edhe ato të pakos së pestë, raporton Insajderi.
“Edhe sot në koordinim dola me një kërkesë të re duke ju drejtuar pozitës, duke ju thënën që po, ne jemi shumë të interesuar që qytetarët të përfitojnë nga pakot ekonomike, ngase është interes i interes i tyre, por gjithashtu jemi shumë të interesuar që qytetarët të përfitojnë nga pakot ekonomike, sociale, shëndetësore, edhe ajo kategori e qytetarëve që nuk ka përfituar për 30 vite.
Prandaj, për debllokimin e Kuvendit, propozova që shumica, pasi që në deklaratat e tyre televizive vazhdimisht kanë edhe ata propozim ligj për shtetësi, unë u bëra ftesë le ta sjellin propozimin ligjin që e kanë ata dhe propozim ligjin tonë, t’i harmonizojmë dhe të bëjmë një propozim ligj të përbashkët i cili mund të shkoje i përbashkët me emër të gjithë grupeve parlamentare por të jetë në interes të qytetarëve që janë të prekur.
“Por hasa në vesh të shurdhër tek shumica, përfaqësuesit e grupeve parlamentare”, ka deklaruar Zejd Rexhepi.
Ndërkaq,Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi sot ka akuzuar se opozita po e keqpërdorë situatën shëndetësore të deputetëve, në kushte me KOVID-19, dhe se sipas tij po vendosen ultimatume të cilat nuk mund t’i pranojë.
Xhaferi në konferencë për shtyp, të cilën e thirri pas ndërprerjes së takimit me koordinatorët e grupeve parlamentare, tha se dy deputetë nga shumica për arsye shëndetësore janë të penguar të marrin pjesë në seancën e nesërme të 36-ën, pas çka e ka parashtruar çështjen e kuorumit. /Insajderi.com