Opsioni që deputeti me aktakuzë ta humbë mandatin për shkak të “Dosjes së Shefave”

Opsioni që deputeti me aktakuzë ta humbë mandatin për shkak të “Dosjes së Shefave”

Deputeti i Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës, Zenun Pajazit rrezikon të humbas mandatit e tij të deputetit në Kuvendin e Kosovës, për shkak të aktakuzës që është ngritur ndaj tij nga Prokuroria e Kosovës, shkruan Insajderi.

Roli i seleksionuesit se kush do të punësohet në Bordin e ujësjellësit të Gjilanit, Zenun Pajazitit do të mund t’i kushtojë atij me burg. Adem Grabovci dikur ia lexonte emrat e kandidatëve ndërsa Pajaziti i seleksiononte ata në bazë të përkatësisë politike.

Pikërisht kjo bisedë Pajazitin mund ta dërgojë në burg, por përveç kësaj atij mund t’ia humbë edhe postin e deputetit.

Sipas Albert Krasniqit nga KDI, deputetët mund ta humbin postin e deputetit në rast se ka një dënim të formës së prerë, për një vit e më shumë.

“Pa u shpalle fajtorë edhe me u dënuar me aktgjykim të formës se prerë për një vit e më shumë burgim, nuk humbet mandati i deputetit. Përveç nëse deputetet japin vete dorëheqje”, ka thënë Krasniqi për Insajderin.

Krasniqi thotë se minimumi që deputetët apo edhe zyrtarët e tjerë që mbajnë pozita të larta shtetërore do të duhej të jepnin dorëheqje.

“Me një vend që ka sistem të brishtë të drejtësisë edhe ku ndikimi i politikes është tejet i lartë, vendosja e standardeve të tilla do të ishte e lartë. Kjo pasi në këtë mënyrë mund të eliminohen nga postet e tyre ata të cilët nuk janë lojal ndaj partisë apo individëve të caktuar. Por që në një vend normal, ngritja e aktakuzës do të duhej të pasohej me aktin e dorëheqjes të cilitdo funksionar shtetërore”, ka thënë Krasniqi.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të premten aktakuzë kundër 11 personave që kishin qenë të përfshirë në “Dosjen e  Shefave”.

Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Xhavit Dakaj, Njazi Kryeziu, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi, Ismet Neziraj dhe  Rexhë Abazi janë personat ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë nga Prokuroria./Insajderi.com